Kanë kaluar dy vite nga ndarja nga jeta e bashkëshortes së Agron Llakaj, por dhimbja për aktorin e njohur shqiptar mbetet po aq e fortë sa ditën kur humbi njeriun e zemrës. Përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, ai ka ndarë një letër prekëse kushtuar Kostandinës, gruas me të cilën ndërtoi jetën dhe familjen e tij.
Në rrëfimin e tij, Agroni kujton kohën kur, në rini, komunikonin me letra dhe si ato i jepnin forcë në ditët larg njëri-tjetrit. Sot, ai thotë se është vetë ai që shkruan letra që nuk marrin përgjigje, por që i japin ndjesinë sikur bashkëshortja vazhdon ta dëgjojë.
Aktori tregon se familja vazhdon të jetë e bashkuar, ndërsa fëmijët dhe nipërit mbajnë gjallë kujtimin e Kostandinës çdo ditë. Veçanërisht prekëse janë fjalët për mbesën Adea, për të cilën ai shprehet se është “oksigjeni” i jetës së tij dhe lidhja më e fortë që e mban pranë kujtimit të së ndjerës.
Në letrën e tij, Agroni rrëfen momente të vogla familjare që tashmë janë kthyer në kujtime të shenjta: nipërit që e kërkojnë ende “nënën Kostandina”, fotografitë e saj që mbushin shtëpinë dhe mungesa që vazhdon ta shoqërojë në çdo ditë.
Mes rreshtave, aktori pranon se jeton mes mallitt, lotëve dhe kujtimeve, por edhe me forcën për të vazhduar përpara, duke mbajtur amanetin e saj për familjen. Ai mbyll dedikimin me një premtim emocional se do të vazhdojë t’i shkruajë sërish, sepse për të, Kostandina nuk është vetëm një kujtim, por një prani që jeton ende mes tyre.
Dedikimi i plotë:
24/05/2024.., Dy vite pa Ty.
Sot vendosa të të shkruaj…,të kujtohet e shenjta Kostandina, dikur kur ushtar isha, ti më shkruaje vazhdimisht dhe e vetmja gjë që i shtynte ditët e mia ishte letërkëmbimi me ty, në çdo javë më vinte një letër.Besoj e ke parasysh atë novelën e autorit turk Sabahatin Ali “ 6 letra të pa dërguara !”…hera e parë që më the-mos ma trego,dua ta lexoj vet!
“ Një nënë që rriste e vetme të birin dhe ngaqë i shoqi i kishte braktisur duke u zhdukur pa adresë, ajo e rriti të birin me idenë se babai ishte diku larg dhe i shkruante gjithmonë letra..,letra të pa lexuara kurrë”
Dhe tani jam unë ai që shkruaj letra dhe që nuk lexohen nga Ty por dua të bind veten se je.
E dashur Kostandina!(Nina)
Jemi mirë! I ndjek në çdo çast e moment fëmijët tanë por të rritur dhe zotër në jetët e tyre, kurse nipat…,vrapoj t’i shikoj,shijoj,loz e qesh,e zhytem në përqafimin e tyre, janë dashuri e madhe…
Adean ma ke lënë si oksigjen në jetën time, ajo ma mbush shtëpinë dhe shpirtin…,por Ty ahhh Ty sa të ka dashur…,shumë herë ka ardhur me mua te banesa jote në qytetin e heshtur e shtëpinë tonë e ka mbuluar me fotot e tua.
Ti që e rrite e mban shumë mirë mend kur e vogël, vishte rrobat e tua dhe ne shkriheshim së qeshuri…,e sot ajo sërish i rivesh e provon dhe më thotë-hë gjysh si më rrinë?!
E shikoj dhe sytë më mjegullohen nga lotët…
Edhe Teos e Brus po rriten shpejt e të bukur…,herë pas here kujtohen dhe të kërkojnë.
“Gjyshi, do më bësh dy dhurata për Krishtlindje!-më tha Teos
Pse?!-i thash
Sepse do më japësh edhe dhuratën nga nëna Kostandina,se ajo na shikon nga lart e të thotë bëji dhurata edhe nga unë Teos-it dhe Brus!”-u përlota.
A më thua mërzitem, a më thua qaj, a më thua-të mungoj?!
Të kërkoj në ëndërra,më vjen, zgjohem i vetmuar deri në ëndrrën tjetër.
Mungesë torturuese por jetoj….,unë i di ëndërrat dhe amanetin e pa lënë për fëmijët Kostandina, se e sa herë kemi folur dhe si misionari yt këtu, do luftoj e nuk do dorëzohem kurrë!
Sa gjatë dua të shkruaj por Ti smë lexon…,
Smundem më…por, do të të shkruaj sërish por në ditëlindje, sepse nuk dua të të kujtoj në këtë ditë Kostandina ime…Ti jeton në mua e mes nesh përgjithmonë./mxh
