Një mëngjes që nisi me britma alarmi dhe përfundoi me një ndërhyrje urgjente të forcave të rendit ka tronditur lagjen Brera në Milano, ku figura e njohur televizive Belén Rodriguez përfundoi në spital pas një episodi të rëndë dhe ende të paqartë për autoritetet.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, gjithçka nisi rreth orës 07:00 të mëngjesit të 25 majit, kur banorët e një pallati elegant dëgjuan britma të forta ndihme që vinin nga banesa e saj. “Ndihmë, më ndihmoni!”, dëgjohej vazhdimisht nga apartamenti, duke shkaktuar panik mes fqinjëve, të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në pak minuta, zona u mbush me polici, zjarrfikës dhe ambulanca, ndërsa rruga u bllokua plotësisht. Për më shumë se tre orë, autoritetet tentuan të komunikonin me Rodriguez, e cila fillimisht refuzonte të hapte derën e banesës.
Vetëm kur zjarrfikësit nisën hapjen me forcë të derës, ajo vendosi të dalë dhe të bashkëpunojë. Sipas burimeve të ekipit të shpëtimit, ajo u gjet në gjendje të rënduar emocionale dhe konfuzioni, duke folur me fjali të shkurtra dhe të ndërprera. Më pas u transportua me urgjencë drejt spitalit Policlinico di Milano, ku u vendos në kujdes mjekësor me kod të verdhë.
Ndërkohë, hetimet nuk ndalen vetëm te ngjarja në banesë. Policia e Milanos po verifikon edhe dyshime për disa aksidente rrugore të ndodhura po atë mbrëmje, ku një SUV tip Land Rover Defender dyshohet se ka goditur disa automjete të parkuara dhe një motor në zona të ndryshme të qytetit, pa u ndalur pas incidenteve.
Dëshmitarë pretendojnë se drejtuesja e mjetit mund të ketë qenë vetë Rodriguez, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht përgjegjësinë.
Ngjarja ka marrë edhe më shumë vëmendje për shkak të deklaratave të mëparshme të saj mbi betejën me ankthin dhe depresionin, të cilat ajo i kishte ndarë publikisht në intervista dhe rrjete sociale.
“Unë kurrë nuk e kam fshehur që kam pasur sulme paniku dhe depresion. Sulme paniku njëra pas tjetrës… nuk është jetë e lehtë për t’u përballuar.”
Në një tjetër deklaratë, ajo kishte shtuar:
“Kam kaluar gjithmonë periudha me sulme paniku… nuk është diçka që mund ta fshehësh, sidomos kur je figurë publike.”
Hetimet dhe gjendja e saj shëndetësore mbeten ende në zhvillim, ndërsa Milano po ndjek me vëmendje një rast që ka mbetur mes alarmit, misterit dhe shqetësimit publik./mxh
