Studiuesi Auron Tare tha se veçanërisht në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, diaspora shqiptare ka qenë mjaft e përçarë dhe e ndarë nëpër fraksione politike.
Duke folur për A2 CNN, Tare theksoi se edhe pas viteve ’90-të, ky grupim nuk ka pasur ndonjë zë ose ndikim që mund të dallohet.
“Unë mendoj që diaspora shqiptare ka qenë me të vërtetë aktive dhe me impakt vetëm në vitet ’20-’30, kur me të vërtetë, sidomos diaspora në Amerikë, luajti një rol shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, për fatet, për kufijtë, për njohjen dhe për disa nga çështjet më të rëndësishme të Shqipërisë që sapo ishte bërë një shtet i pavarur. Pastaj, mendoj unë, pas ’45-ës, me vendosjen e pushtetit komunist, diaspora ishte mjaft e përçarë, e ndarë nëpër fraksione politike dhe nuk është se ka luajtur ndonjë rol të rëndësishëm, përveçse është përdorur si mish për top nga angloamerikanët. Pastaj nga viti ‘90 e këtej kemi një shpërndarje të madhe të shqiptarëve. Nuk është se ka ndonjë impakt diaspora në Shqipëri. Nëse themi që diaspora ka zë dhe ka impakt, gënjejmë veten, mendoj unë”,-tha Tare./kb
