Last Updated on 30/07/2026 by Anisa
Artan Fuga
Është fare e qartë se skena politike në Shqipëri është vjetëruar shumë. Në tre kuptime:
– Në kohën që të njëjtët kanë 40 vjet që luajnë atje.
– Në kuptimin që ligjërimi dhe argumentet që përdorin janë të sklerotizuara dhe nuk janë më në përputhje me kërkesat e shoqërisë shqiptare.
– Në kuptimin që organizimi i partive është krejtësisht i atrofizuar ku organet drejtuese drejtohen në mënyrë staliniste, me dorë të hekurt, kurse në hallkat më poshtë s’e merr vesh i pari të dytin. Imagjino s’ka votues që ta dijë nëse dikush është apo jo anëtar partie.
Ka shumë arësye për këtë.
Por, njëra është që në origjinë. Partitë e sotme politike u krijuan në 1990 në lidhje me të shkuarën, por, jo me të ardhmen. Si do të ishte e ardhmja askush nuk e dinte, dhe ato u ngurtësuan aty, derisa ka ardhur dita që shoqëria, sidomos rinia nuk i pranon më. Duken si dinosaurë!
Partia socialiste mori këtë emër vetëm për vazhdimësi me partinë e dikurshme të punës, nga komuniste në socialiste, por jo se kishte ndonjë ide për të ardhmen, se çfarë është një socializëm kapitalist. Tani që partitë socialiste në Evropë janë transformuar ose ikur nga skena, vetëm kjo jona ka ngelur në lëvozhgën e vjetër.
Gjoja mbron shtresat e paprivilegjuara, por në fakt në qendër ka të përqendrojë pronën në duart e investitorëve strategjikë.
Partia demokratike, edhe u krijua, në përmbysjen e komunizmit, dhe dha kontribut historik. Por, “demokratike” kishte kuptim pikërisht për ta larguar Shqipërinë nga e kaluara jo-demokratike. Por, edhe ajo merr kuptim si largim nga e kaluara, por jo në raport me të ardhmen. Edhe ajo tani ngrihet sikur përfaqëson të gjithë popullin, dhe jo segmente të caktuara të elektoratit. “Demokracia” mbetet një term i përgjithshëm, sepse edhe ata që e mbysin atë e quajnë veten se luftojnë për demokraci!
Ka mbetur pas. Demokraci për kë?, si?, me çfarë të drejtash?
Po kështu partitë e tjera që qendrojnë pas emrave të përgjithshëm, të gjitha sikur përfaqësojnë të gjithë popullin.
Sikurse kemi media gjeneraliste, kemi shkollë gjeneraliste, gjimnaze gjeneraliste, kemi edhe parti politike gjeneraliste. Supermarkete gjeneraliste. Duket se përfaqësojnë të gjithë, por në fakt nuk përfaqësojnë askënd, veç forumet drejtuese dhe grupin parlamentar që kanë.
Ky është fati i çdo sipërmarrjeje gjeneraliste në ekonominë postmoderne, i hanë bukën njëra tjetrës dhe në fund mbesin pa klientë, falimentojnë; nuk ka nevojë të lexosh Shumpeterin për ta kuptuar.
Skena politike shqiptare kërkon daljen e partive politike të fragmentuara elektoralisht jo me terma të përgjithshëm, jo me metafora letrare si “së toku”, “shpëtimi”, “bërja”, “potenciali”, etj, etj, me gjithë respektin për këdo!
