Last Updated on 30/07/2026 by Anisa
URGJENTE!
Mjekët duhet të jenë më të pranishëm në rrjetet sociale!
Jo për famë. Jo për të mbushur klinikat e tyre. Jo për të shtuar numrin e vizitave apo ndërhyrjeve.
Por për të luftuar dezinformimin, për të edukuar qytetarët dhe për ta afruar shkencën me njerëzit, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, por gjithmonë të mbështetur në prova shkencore.
Sot, rrjetet sociale janë kthyer në një nga burimet kryesore të informacionit shëndetësor.
Fatkeqësisht, aty gjejnë hapësirë edhe njerëz që flasin me shumë siguri, por pa njohuritë dhe kompetencat e nevojshme. Ata japin këshilla për shëndetin e miliona njerëzve, shpesh duke përhapur mite, frikë dhe informacione të rrezikshme.
Të dalësh në rrjetet sociale si profesionist shëndetësor nuk është gjithmonë e lehtë. Do të përballesh me kritika, sharje, ofendime, sulme dhe keqkuptime. Ndonjëherë ato janë të ashpra dhe personale. Megjithatë, heshtja nuk është:
ZGJIDHJE.
Ky mesazh është për çdo mjek, student të mjekësisë, mjek specializant, infermier, dietolog, nutricionist, farmacist, psikolog, fizioterapist, profesionist të shëndetësisë apo kërkues shkencor që ka vendosur të ndajë dijen e tij me publikun dhe të vazhdojë të mësojë për të bërë edukim shëndetësor serioz, të kuptueshëm dhe të bazuar në shkencë.
Sa më shumë zëra të besueshëm të ketë në rrjet, aq më pak hapësirë do të mbetet për sharlatanët, pseudoshkencën dhe dezinformimin.
Shëndeti i qytetarëve mbrohet jo vetëm në spitale dhe klinika, por edhe aty ku formohen bindjet e tyre, në informacionin që lexojnë çdo ditë.
