Last Updated on 22/12/2025 by Kesjana
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot më 21 dhjetor, e cila pritet të jetë telefonata e tyre e fundit për vitin 2025. Sipas Downing Street, telefonata u zhvillua të dielën pasdite dhe u përqendrua në luftën në Ukrainë, situatën humanitare në Gaza, si dhe në emërimin e ambasadorit të ri britanik në Uashington.
Një zëdhënëse e Kryeministrisë britanike bëri të ditur se dy liderët nisën bisedën duke reflektuar mbi zhvillimet e luftës në Ukrainë. Sir Keir Starmer e informoi presidentin Trump mbi punën e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i cili synon të mbështesë çdo marrëveshje të mundshme paqeje dhe të garantojë një përfundim të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftrave.
Më pas, vëmendja u zhvendos drejt Lindjes së Mesme, ku dy liderët diskutuan situatën në terren në Gaza, në një kohë kur armëpushimi mbetet i brishtë dhe shqetësimet humanitare janë të mëdha. Sipas autoriteteve lokale në Gaza, qindra civilë, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën që nga vendosja e armëpushimit, çka e bën situatën edhe më të ndërlikuar.
Gjatë bisedës, Kryeministri britanik e informoi gjithashtu presidentin amerikan për emërimin e Dr. Christian Turner si ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA. Dr. Turner, një diplomat me përvojë të gjatë dhe aktualisht përfaqësues i përhershëm i Britanisë së Madhe në OKB, do të zëvendësojë Lord Mandelson, i cili u shkarkua në shtator pas zbulimeve lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein. Sipas Sir Keir Starmer, ky emërim pritet të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Trump, i cili foli nga rezidenca e tij Mar-a-Lago në Florida, dhe kryeministri Starmer përfunduan bisedën duke i uruar njëri-tjetrit Krishtlindje të gëzuara.
Marrëdhëniet personale mes Starmer dhe Trump kanë qenë përgjithësisht të mira, me kryeministrin britanik që ka shmangur kritikat publike ndaj presidentit amerikan. Megjithatë, së fundmi ai ka shprehur pakënaqësi ndaj gjuhës fyese të përdorur nga Trump ndaj një gazetareje, duke deklaruar se nuk do të pranonte kurrë që dikush t’i drejtohej vajzës së tij në atë mënyrë.
Telefonata vjen në një moment kur SHBA-ja ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, ndërsa vetë Trump ka pohuar se palët janë “më afër se kurrë” një marrëveshjeje paqeje. Nga ana tjetër, zyrtarë të Kremlinit kanë bërë të ditur se bisedimet për një plan paqeje me SHBA-në po ecin përpara në mënyrë “konstruktive”.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë vendimtare, me përpjekje të shtuara diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa konflikti në Gaza vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda humanitare. Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aktorë kyç në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet dhe siguri, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Lindjen e Mesme. /The Independent/kb