Teuta ka vendosur të nisë një projekt të ri për sezonin e ardhshëm në Superiore, duke arritur marrëveshjen me Edlir Tetovën për stolin e skuadrës. Lajmi u konfirmua nga trajneri aktual Bledar Hodo menjëherë pas suksesit ndaj Pogradecit në “play out”.
Tetova rikthehet shpejt në pankinë, vetëm pak javë pasi u largua nga drejtimi i Egnatias. Ndërprerja e bashkëpunimit me klubin rrogozhinas ishte lidhur me një situatë shëndetësore.
Tashmë tekniku durrsak pritet të firmosë kontratën me klubin e qytetit të tij në ditët e ardhshme. Teuta siguroi mbijetesën në Superiore vetëm pas fitores 1-0 ndaj Pogradecit me golin e Klejdi Dacit në minutën e 93-të.
Drejtuesit synojnë të ndërtojnë një skuadër më konkurruese për sezonin e ardhshëm, me afrime të rëndësishme në merkato.
Në edicionin që u mbyll, Teuta u drejtua fillimisht nga Enkeleid Dobi, i cili dha dorëheqjen dy javë para fundit për shkak të rezultateve negative./mxh
