Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
1 tetor 1975 – Manila, Filipine
Më 1 tetor 1975, kryeqyteti i Filipineve, Manila, u shndërrua në qendër të botës së sportit. Në Coliseum-in “Araneta” u zhvillua një nga ndeshjet më të famshme dhe më brutale të historisë së boksit – dueli i tretë mes dy ikonave të peshave të rënda, Muhamed Ali dhe Xho Frejzier.
Takimi, i pagëzuar nga vetë Ali me emrin “Thriller in Manila”, nuk ishte thjesht një ndeshje sportive. Ai u kthye në një betejë titanësh, një përplasje karakteresh dhe krenarish, që mblodhi përpara ekranit miliona shikues në të gjithë botën. Sfondi i rivalitetit Ali dhe Frejzier kishin tashmë një histori të gjatë ballë për ballë. Në vitin 1971, në “Fight of the Century”, Frezier e kishte mposhtur Alinë në një ndeshje epike në Madison Square Garden. Ali, që sapo ishte kthyer nga pezullimi për refuzimin e shërbimit ushtarak në Vietnam, humbi për herë të parë në karrierën e tij.
Dy vite më vonë, më 1974, ata u përballën sërish dhe këtë herë Ali doli fitimtar. Rivaliteti i tyre tashmë ishte kthyer në një sagë personale, ku çdo grusht ishte i ngarkuar me krenari dhe hakmarrje. Ndeshja e Manilës Në Manila, nxehtësia dhe lagështia ishin të pamëshirshme. Që në raundet e para, Ali përdori teknikën e tij të njohur “rope-a-dope”, duke u mbështetur në litarë dhe duke lejuar Frazier të shfrynte fuqinë e tij. Por Frejzier, i njohur për këmbënguljen dhe goditjet e forta me dorën e majtë, nuk ndalej.
Ndeshja shndërrohej gjithnjë e më shumë në një duel të jashtëzakonshëm force dhe durimi. Pas 14 raundesh të tmerrshme, ku të dy boksierët kishin marrë dhe dhënë goditje që do të kishin rrëzuar çdo tjetër kundërshtar, trajneri i Frejzier, Edi Fëç, vendosi ta ndalojë ndeshjen, duke mos e lejuar të dilte në raundin e 15-të. Sytë e Frajzier ishin të fryrë deri në atë pikë sa nuk shihte më qartë.
Muhamed Ali, edhe pse fitues me knockout teknik, ishte aq i rraskapitur sa më vonë pranoi: “Ishte gjëja më afër vdekjes që kam ndjerë ndonjëherë.” Trashëgimia “Thriller in Manila” mbetet një nga ndeshjet më të paharrueshme në historinë e boksit. Ajo simbolizon jo vetëm rivalitetin e ashpër mes dy prej boksierëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, por edhe vendosmërinë, durimin dhe sakrificën që ky sport kërkon.
Për shumë ekspertë e sportdashës, ishte kulmi i artë i një epoke të boksit që nuk do të përsëritet më. Muhamed Ali doli fitimtar dhe ruajti fronin e kampionit të botës, por ndeshja në Manila shënoi gjithashtu edhe përfundimin e një rivaliteti që kishte ndezur imagjinatën e botës.
Përgatiti: L.Veizi
