Last Updated on 08/09/2026 by Anisa
Teoria e famshme e “vrasjes së babait”, e huazuar nga psikanaliza dhe e përdorur më pas si metaforë politike, është përdorur dhe keqpërdorur shumë në Shqipëri.
Koncepti lidhet me kompleksin e Edipit, të formuluar nga Sigmund Freud mbi bazën e tragjedisë “Edipi Mbret” të Sofokliut. Në kuptimin metaforik, konflikti ndërmjet atit dhe birit shënon momentin e shkëputjes, të pasimit dhe të trashëgimit të fronit, rolit apo pushtetit.
Në politikë, “vrasja e babait” nënkupton revoltën e pasardhësit ndaj mentorit të tij, edhe pse rrethanat nuk janë kurrë të njëjta. Kjo metaforë përdoret për të shpjeguar dhe, në njëfarë mënyre, për të legjitimuar rebelimin e “birit” ndaj “babait”, duke e mbrojtur nga akuzat për tradhti, mosmirënjohje apo bukëshkalësi.
Revolta mund të jetë reale, por rëndësinë më të madhe e merr përmes mënyrës se si trashëgohet historikisht. Në fund, pikërisht historia është ajo që vulos fituesin e betejës.
Në historinë botërore janë sjellë shpesh dy shembuj që, edhe pse nuk përbëjnë atvrasje të mirëfillta, ilustrojnë konfliktin për trashëgiminë e pushtetit: marrëdhënia e Aleksandrit të Madh me të atin, Filipin II të Maqedonisë, dhe ajo e Mehmetit II me të atin, sulltan Muratin II.
Aleksandri ishte djali i një mbreti të madh dhe i një prej gjeneralëve më të shquar të kohës. Filipi II, strategu që përsosi falangën maqedonase dhe disiplinën e saj të hekurt, kishte arritur të bëhej sundimtari më i fuqishëm i botës helene dhe po përgatitej të ndeshej me Perandorinë Persiane.
Ai kishte ngritur një brez gjeneralësh të jashtëzakonshëm, të cilët jo vetëm e respektonin si mbret, por e konsideronin edhe shok armësh. Martesa e Filipit me Kleopatra Euridikën dhe largimi i Olimpias, nënës së Aleksandrit dhe princeshës së Epirit, krijuan një krizë të rëndë trashëgimie.
Në vitin 336 para erës sonë, Filipi u vra nga Pausania, një prej truprojave të tij, ndërsa froni i kaloi Aleksandrit. Historia ka prodhuar shumë versione për organizatorët e atentatit. Kundërshtarët e Aleksandrit hodhën dyshime mbi Olimpian dhe vetë trashëgimtarin, por kjo nuk u provua kurrë. Pra, më shumë se një atvrasje e dokumentuar, kemi një atentat të mbështjellë nga hija e një komploti politik.
Edhe marrëdhënia e Mehmetit II me të atin nuk ishte një atvrasje. Murati II e vendosi të birin në fron kur ishte vetëm 12 vjeç, por u rikthye më pas në pushtet, mes krizave ushtarake dhe presionit të vezirit të madh, Çandarlı Halil Pashës. Mehmeti u bë përsëri sulltan vetëm pas vdekjes së të atit dhe realizoi ëndrrën e tij të madhe: pushtimin e Kostandinopojës.
Në të dyja rastet, thelbi nuk është vrasja fizike e babait, por përplasja për zëvendësimin e tij dhe ndryshimin e narrativës së trashëgimisë politike.
Në politikën shqiptare, Edi Rama i mori me mjeshtëri atributet e “atvrasësit”, duke e lidhur historinë e tij me Fatos Nanon, paraardhësin e tij në krye të Partisë Socialiste.
Rama u shfaq fillimisht si kritik i Nanos, më pas si rival i tij pa sukses në vitin 2003. Kur Nano dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, Rama e mori fronin e PS-së nëpërmjet një prej atyre betejave të njohura të kulisave shqiptare.
Për Fatos Nanon thuhet se ishte liberal dhe se i la të lira figurat që më pas u shfaqën si “atvrasës” ndaj tij: Pandeli Majko, Ilir Meta, Rexhep Meidani dhe të tjerë. Është e vërtetë se Nano ishte më liberal se pasardhësi i tij, por hapësirën që u dha rivalëve e përdori kryesisht për aleanca, marrëveshje dhe ekuilibra pushteti. Pra, bëri politikë.
Nano e neutralizoi Majkon, rivalin e parë, më pas u përplas me Metën, por në fund iu shfaq Rama. Siç dihet, ai u largua si pasojë e bashkimit të rivalëve të tij politikë.
Kjo histori është kthyer në kompleksin e përhershëm të politikës shqiptare. Enver Hoxha eliminoi pothuajse të gjithë bashkëpunëtorët që mund të shfaqeshin si pasardhës dhe në fund ia dorëzoi kurorën Ramiz Alisë, i cili nuk e gëzoi gjatë.
Në intervistën me Rudina Xhungën, Edi Rama tha se nuk ka ndërmend ta zgjedhë vetë pasardhësin, siç bëri Enver Hoxha me Ramiz Alinë, por pret që dikush “ta vrasë”.
Në të vërtetë, Rama i ka vrarë politikisht, para kohe, pothuajse të gjithë “bijtë” e tij të mundshëm, ende pa arritur të ngriheshin plotësisht.
E nisi me Ben Blushin. Edhe pse për një periudhë patën një pakt politik, Rama u kujdes ta eliminonte të parin. Blushi ishte një alterego e natyrshme e tij, por nisi të shfaqte ide dhe një personalitet politik krejt të ndryshëm nga modeli i Edi Ramës.
Më pas erdhi radha e Saimir Tahirit, i cili po shndërrohej në një figurë me peshë dhe mund të pretendonte, në rrethana të tjera, poltronin e mentorit të vet. Saga e Tahirit dihet: nga lavdia politike kaloi në mallkim.
E njëjta ishte edhe aventura e palavdishme e Erion Veliajt, i cili, pikërisht kur mendonte se kishte ardhur momenti të mblidhte frytet e pushtetit të tij, përfundoi në burg.
A ka sot në Partinë Socialiste dikush që mund të marrë përsipër rolin e “atvrasësit”? “Mamica”, e cila tentoi të shfaqej si vëllavrasëse, duket më shumë si një mekanizëm në shërbim të “Skënderbeut” të saj sesa si një sfiduese e vërtetë.
Edi Rama, më shumë se Edipi, i ngjan Kronosit që gëlltiste bijtë e tij për të mbijetuar. Njësoj veproi edhe Sali Berisha në krahun tjetër, duke e kullufitur politikisht Lulzim Bashën, bashkë me flokët e tij me brilantinë, si dhe shumë të tjerë para tij.
Të dy duket se mësuan nga Enver Hoxha, i cili për 45 vjet e ushqeu pushtetin me eliminimin periodik të “bijve” të vet politikë.
Pikërisht për këtë arsye, mallkimi na ndjek pa fund. Sundimtarët tanë nuk presin që pasardhësit të ngrihen kundër tyre. Ata e thajnë barin përpara se të rritet nën këmbët e fronit.
Si në rrethimet e dikurshme, ku shkretimi i territorit përdorej për të mos i lënë kundërshtarit as njerëz dhe as burime, edhe pushteti shqiptar shkatërron çdo mundësi pasimi përpara se ajo të marrë formë./thuaje.al-ad
