Last Updated on 02/05/2025 by adminfjala
Kryetari i PSD-së, Tom Doshi, në një takim elektoral, akuzoi kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, se po dëmton Velipojën me ndërtimet pa leje.
“Nuk e paskemi njohur këtë që është në krye të bashkisë sot, pasi është i infiltruari i Sali Berishës. Për 2 vite nuk ka bërë asgjë në Velipojë përveçse ka prishur lokalet e ka bërë veç dëm. Kanë mbetur edhe 3 kaçatorra këtu, njëri është drejtor i IKMT-së, tjetri punon me OSHEE-në, që rrinë dhe bëjnë presion nëpër Velipojë. Është fatkeqësi e madhe që Velipoja të bjerë në dorë të tyre”, tha Tom Doshi.
Ndër të tjera, Tom Doshi ka kërkuar votën e qytetarëve për zgjedhjet e 11 majit.
“Siç ju kam përfaqësuar prej 20 vitesh, do vijoj të ju përfaqësoj. Edhe 1 javë na ka mbetur, të gjithë njerëzit brenda edhe jashtë, vota na vlen në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Doshi.
Doshi i bëri thirrje SPAK-ut dhe BKH-së që të hetojnë krimet zgjedhore që po bëhen në Shkodër.
“Po bëhen krime zgjedhore në Velipojë. Janë bërë ndërtime pa leje në këmbim të votave. Ju e keni parë se çfarë i ka ndodhur në Trush, një nëne me fëmijë jetimë, Benet Beci u ka nisur IKMT-në. Këtu në plazh ndërton pa leje dhe atje që është në mes të fushës në Trush, shkojnë dhe e pezullojnë dhe e gjobisin. Është kaq i lig, kaq i vogël saqë e çon veten të merret me fëmijë jetimë. I bëj thirrje BKH-së dhe SPAK-ut të vijë dhe të merret me krimet zgjedhore në Velipojë dhe në Bashkinë e Shkodrës”, tha Doshi./e.t