Tom Holland e konsideron veten tashmë në një kapitull të ri të karrierës së tij. Aktori i njohur për rolin e Spider-Man-it në kinema, i cili ka nisur tashmë provat për filmin biografik kushtuar jetës dhe karrierës së legjendës së kërcimit dhe kinemasë muzikore, Fred Astaire, ka deklaruar gjatë një interviste në “Good Morning America” se dëshiron të lërë pas imazhin e adoleshentit.
“Ndjej se po hyj në një kapitull të ri, ku nuk mund të kaloj më si adoleshent. Ajo që dua më shumë në punën time janë sfidat”, u shpreh ai në një intervistë të fundit për emisionin “Good Morning America”.
Duke folur për rolin e tij të ri, aktori 30-vjeçar zbuloi se përgatitja për të i ka shkaktuar njëkohësisht entuziazëm dhe frikë.
“Së fundmi bëra provat e para dhe ndjeva njëkohësisht një entuziazëm të jashtëzakonshëm, por edhe një frikë të madhe, sepse kam shumë punë përpara për t’u përpjekur të jem në lartësinë e Fred-it”, rrëfeu ai.
Aktori tha gjithashtu se, sapo të përfundojë promovimin e projekteve të tij aktuale, do t’i përkushtohet plotësisht stërvitjes në kërcim.
“Tani vjen Fred Astaire, ky është plani ynë. Dhe sapo të përfundoj këto ture promovuese, do të kthehem menjëherë në studion e kërcimit”, deklaroi Holland.
Ai foli edhe për një objektiv ambicioz që i ka vendosur vetes para nisjes së xhirimeve. Aktori dëshiron të realizojë vetë të gjitha skenat e kërcimit, pa përdorur zëvendësues, madje edhe në xhirime të gjata pa ndërprerje.
“Nuk dua të përdor fare zëvendësues. Dua t’i bëj vetë të gjitha kërcimet dhe t’i xhirojmë këto skena në një plan të vetëm, ashtu siç do t’i kishte bërë ai”, tha Holland, duke iu referuar stilit karakteristik të Astaire, i cili ishte i njohur për xhirimin e koreografive të ndërlikuara në plane të gjata dhe pa ndërprerje.
Tom Holland, një nga aktorët më të njohur të brezit të tij, u bë i famshëm në mbarë botën si Spider-Man në universin Marvel, ndërsa gjatë karrierës së tij ka spikatur edhe në role të tjera të rëndësishme në kinema, duke dëshmuar njëkohësisht aftësitë e tij në aktrim, kërcim dhe performancë./mxh
