Last Updated on 13/08/2026 by EL
“E stabilizuar paraqitet situata në Abazaj të Krujës, ndërsa puna për neutralizimin e disa vatrave të vogla vijon nga forcat ajrore dhe ato tokësore. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe një helikopter, ndërsa humusi dhe temperaturat e larta mbeten sfidë për ndërhyrjen. Zjarri është afruar pranë banesave, por pa i rrezikuar ato.”
Në terren po ndërhyhet kryesisht në zonat ku terreni i thyer dhe i vështirë e bën më të komplikuar punën nga toka.
Banorët tregojnë se vatrat e zjarrit kanë qenë vetëm rreth 100 metra mbi shtëpitë e tyre.
Për neutralizimin e plotë të zjarrit është angazhuar edhe një helikopter, i cili po operon në mbështetje të forcave tokësore.
Sipas banorëve, ndërhyrja nga ajri ka qenë vendimtare, pasi në këto kushte zjarrfikësit e kanë pasur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë.
“Vetëm pak orë më parë në këtë zonë ishte aktive një vatër e madhe zjarri, por me mbërritjen e helikopterit situata është qetësuar ndjeshëm dhe flakët janë vënë nën kontroll.”
Sfidë mbetet prania e erës dhe humusit, pasi zjarri mund të vijojë të jetë aktiv në shtresat e thella të tokës edhe pasi flakët në sipërfaqe janë shuar. Ndërkohë, banorët që u larguan për shkak të rrezikut janë rikthyer në banesat e tyre që prej orëve të mëngjesit.
“U rikthyem në mëngjes, se mbrëmë u larguam nga zona…”
Megjithëse zjarri ka qenë pranë zonave të banuara, flakët nuk kanë prekur asnjë banesë, ndërsa monitorimi në terren vijon për të garantuar sigurinë e plotë të zonës./et
