Sulmuesi i Tenerife, Jesus de Miguel, ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare pas një dëmtimi të rëndë të pësuar gjatë një ndeshjeje në La Liga2.
Lojtari mori dëmtime fatale në kokë dhe në kraharor pas një përplasjeje të dhunshme me portierin e Andorra, Jesus Oëono, i cili u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen e tij.
Incidenti i rëndë ndodhi në minutën e shtatë të kohës shtesë kur rezultati ishte 2-2, teksa portieri doli në mesfushë për të larguar një top dhe u përplas me sulmuesin vendas.
Mediat spanjolle raportuan se de Miguel pësoi arrest kardiak në ambulancë gjatë rrugës për në spital dhe u rikthye në jetë nga stafi mjekësor i emergjencës. Pavarësisht se gjendja e tij u përshkrua fillimisht si e qëndrueshme, shëndeti i 30-vjeçarit u përkeqësua nga ana neurologjike gjatë mëngjesit të së martës, duke sjellë edhe vdekjen e tij.
Klubi i Tenerife reagoi përmes një komunikate zyrtare duke shprehur dhimbjen për këtë humbje tragjike dhe duke theksuar mbështetjen e plotë për familjen e lojtarit. Edhe klubi i Andorra, i cili është në bashkëpronësi të ish-mbrojtësit Gerard Pique, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe shokët e skuadrës./k.m
