Roberto Mancini mbetet trajneri i fundit që i ka dhënë Italisë një trofe të madh, me suksesin në Euro 2021.
Gjatë drejtimit të tij, Kombëtarja italiane regjistroi edhe një seri prej 37 ndeshjesh pa humbje, një rekord që më pas u tejkalua nga Spanja.
Megjithatë, cikli i tij u dëmtua nga eliminimi në “play-off”-in e Botërorit 2022, ku Italia u mposht 1-0 nga Maqedonia e Veriut në Palermo.
Pavarësisht këtij dështimi, Federata Italiane e Futbollit vendosi ta konfirmonte në detyrë. Më pas, Mancini dha dorëheqjen në mënyrë të papritur, përpara se të zyrtarizohej si trajner i Arabisë Saudite.
Kontrata e tij me përfaqësuesen saudite u raportua me vlerë 25 milionë euro në sezon. Tashmë rikthimi i tij në pankinën e Italisë shoqërohet me diskutime, ndërsa figura të futbollit italian, mes tyre edhe Fabio Capello, kanë shprehur rezerva për këtë zgjedhje./mxh
