Diagnostikimi i sëmundjeve nga irisi i syrit, “ushtrimet” që premtojnë eliminimin e syzeve dhe trajtime të tjera të paprovuara, përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale për ndryshimin e ngjyrës së syve, janë disa prej praktikave për të cilat oftalmologët ngrenë shqetësimin.
Mjekët paralajmërojnë qytetarët për rreziqet që lidhen me diagnozat e rreme dhe trajtimet e paprovuara për problemet e shikimit.
Sipas oftalmologëve, këto praktika mund të çojnë në diagnoza të pasakta, vonesa në trajtimin e sëmundjeve serioze dhe, në disa raste, edhe në dëmtime të përhershme të syve.
Iridologjia, pa vlerë diagnostikuese
Një prej praktikave të përmendura është e ashtuquajtura “iridologji” ose “iridografi”, e cila pretendon se mund të identifikojë sëmundjet e organeve të ndryshme të trupit përmes pamjes së irisit.
Studimet shkencore kanë treguar se kjo metodë nuk ka saktësi diagnostikuese më të madhe se rastësia.
Rreziku lidhet si me “diagnozat” e rreme, të cilat mund të shkaktojnë ankth dhe të çojnë në trajtime të panevojshme ose të rrezikshme, ashtu edhe me sigurinë e rreme, e cila mund të vonojë diagnostikimin e sëmundjeve reale.
“Ushtrimet” që premtojnë eliminimin e syzeve
Një tjetër praktikë e përhapur janë programet e “ushtrimeve për sytë”, të cilat pretendojnë se mund të trajtojnë miopinë, presbiopinë apo astigmatizmin.
Sipas oftalmologëve, këto pretendime nuk mbështeten nga të dhëna të mjaftueshme shkencore. Gabimet refraktive lidhen me karakteristikat anatomike dhe optike të syrit dhe nuk korrigjohen përmes ushtrimeve.
Përjashtim bëjnë ushtrimet specifike ortoptike për çrregullime të caktuara të shikimit binokular, të cilat rekomandohen vetëm pas vendosjes së diagnozës nga një oftalmolog.
Kujdes nga “trajtime” të paprovuara
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen veçanërisht të kujdesshëm ndaj çdo “trajtimi” që premton rezultate të jashtëzakonshme, por që nuk është testuar në studime klinike të kontrolluara dhe nuk është miratuar nga autoritetet kompetente.
Në këtë kategori përfshihen, ndër të tjera, injeksionet e reklamuara si “rigjeneruese” dhe preparatet që pretendojnë se mund të përmbysin procesin e plakjes së syve.
Ilaçet e syve të blera në internet
Oftalmologët dekurajojnë gjithashtu blerjen e ilaçeve për sytë në internet pa recetë dhe pa këshillën e mjekut.
Edhe medikamentet me efekte të dokumentuara, si disa pika që mund të përmirësojnë përkohësisht shikimin nga afër te personat me presbiopi, kërkojnë një ekzaminim paraprak oftalmologjik, pasi në raste të caktuara mund të shkaktojnë efekte anësore serioze.
Ndryshimi i ngjyrës së syve nuk është thjesht çështje estetike
Një tjetër shqetësim lidhet me procedurat kirurgjikale që synojnë ndryshimin e ngjyrës së syve.
Këto ndërhyrje nuk duhet të konsiderohen thjesht si procedura kozmetike, pasi bëhet fjalë për ndërhyrje kirurgjikale në sy të shëndetshëm. Disa teknika, përfshirë implantet kozmetike të irisit brenda syrit, janë shoqëruar me komplikacione serioze dhe të pakthyeshme.
Për këtë arsye, çdo person që po shqyrton një procedurë të tillë duhet të informohet plotësisht për rreziqet dhe pasojat e mundshme nga një oftalmolog.
Një kontroll i shikimit nuk është vetëm matje e dioptrive
Një ekzaminim i plotë oftalmologjik është një procedurë mjekësore dhe duhet të kryhet nga një oftalmolog në një strukturë të ligjshme mjekësore.
Duhet bërë një dallim i qartë mes shërbimit teknik dhe tregtar të ofrimit të pajisjeve optike dhe aktit mjekësor të vlerësimit klinik dhe vendosjes së diagnozës.
Shikimi i mirë nuk përjashton praninë e një sëmundjeje serioze të syrit. Glaukoma, degjenerimi makular i lidhur me moshën, retinopatia diabetike, shkëputja e retinës dhe neoplazmat okulare mund të shfaqen edhe te persona që kanë mprehtësi të mirë të shikimit dhe mund të mos zbulohen pa një ekzaminim të plotë oftalmologjik.
Në përfundim, oftalmologët u bëjnë thirrje qytetarëve që, për problemet dhe shqetësimet që lidhen me shëndetin e syve, të kërkojnë këshillën e mjekëve specialistë dhe të mbështeten te burime shkencore autoritative, në vend të reklamave apo postimeve të pakontrolluara në internet./ad
