Si sot para 31 vitesh, biznesmeni dhe aktivisti i njohur shqiptar Remzi Hoxha u zhduk në mënyrë të mistershme, ndërsa familja e tij prej më shumë se tre dekadash e kujton atë me dhimbje e mall. Si çdo vite, djali i tij Adrian Hoxha ka postuar në rrjet reagimin e tij prekës, ku shprehet se janë bërë 31 vite që familja Hoxha nuk ka një varr për Remziun.
Duke sjellë në kujtesë rrëmbimin e të atit në mes të Tiranës, Adriani thekson sërish se babai i tij u rrëmbye në mes të ditës në Tiranë nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. Ndërsa shton se Remziu u torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk në mënyrë të mistershme.
“31 vjet pa varr të babait tim, Remzi Hoxha
Shqipëri, e ndiejmë dhembjen tënde, sepse e kemi përjetuar vetë. Shqiptarët kanë vuajtur me dekada dhe shumë nga ata që janë burgosur, torturuar, vrarë e zhdukur, i kanë zhdukur pikërisht udhëheqësit e tyre politikë. Shqipëria, mëmëdheu i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, i ka vrarë me qindra, në mos me mijëra, bijtë e saj më të mirë. Familja jonë është njëra nga ato familje dhe sot bëhen 31 vjet.
Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë.” shkruan Adrian Hoxha.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Adrian Hoxha i kërkon qeverisë shqiptare që të hapen arkivat e SHIK-ut me besim të plotë se SPAK do mund ta zbardhë ngjarjen.
“Andaj i drejtohem Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit, Prokurorisë e SPAK-ut: hapni arkivat e ish-SHIK-ut, rihapni kërkimin për trupin e babait tim me njerëz të caktuar dhe me afat, pyesni çdo person që ishte pjesë e atyre strukturave dhe jepuni garanci atyre që duan të flasin. Dhe i drejtohem edhe atyre që nuk janë shtet, por që dinë. Ju mund të jeni të moshuar sot dhe mund ta keni mbajtur këtë barrë gjithë jetën. Nuk ju kërkojmë emrin. Na tregoni vetëm ku është.”, vijon reagimi i Adrian Hoxhës.
Remzi Hoxha ishte një sipërmarrës i njohur dhe aktivist për çështjen etnike shqiptare në Kosovë. Ai u largua në Shqipëri për t’i shpëtuar persekutimit nga regjimi jugosllav. Në tetor të vitit 1995, ai u rrëmbye në qendër të Tiranës. Familjarët e tij besojnë se rrëmbimi i Hoxhës u krye nga Shërbimi Informativ Shqiptar që atëherë njihej si Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK).
Adriani është shprehur në daljet e tij publike se këtë e kanë kuptuar nga targa e makinës që rrëmbyen Remzi Hoxhën, targë e cila i përkiste SHIK-ut, por që asnjëherë nuk u pranua nga policia. Po ashtu ai ka thënë se ka patur shpresë së me ardhjen e Ramës në pushtet do të mund të gjente trupin e të atit, por shprehet i zhgënjyer se emri i të atit është përdorur për të akuzuar Berishën, dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për të gjetur trupin e tij.
Reagimi i plotë i Ardian Hoxhës:
31 vjet pa varr të babait tim, Remzi Hoxha
Shqipëri, e ndiejmë dhembjen tënde, sepse e kemi përjetuar vetë. Shqiptarët kanë vuajtur me dekada dhe shumë nga ata që janë burgosur, torturuar, vrarë e zhdukur, i kanë zhdukur pikërisht udhëheqësit e tyre politikë. Shqipëria, mëmëdheu i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, i ka vrarë me qindra, në mos me mijëra, bijtë e saj më të mirë. Familja jonë është njëra nga ato familje dhe sot bëhen 31 vjet.
Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë.
Babai im sakrifikoi gjithçka për çështjen shqiptare, jetën e tij, familjen e tij dhe pasurinë e tij, që shqiptarët kudo që janë të jetojnë të lirë. Zhdukjen e tij e prisnim nga serbët, mirëpo jo nga vëllezërit shqiptarë dhe jo nga shteti amë. Për familjen tonë Sali Berisha është antishqiptari dhe krimineli më i madh që ka njohur historia shqiptare. Mirëpo nuk është vetëm ai. Edi Rama e udhëheq Shqipërinë prej 13 vitesh, i kemi dërguar dosje dhe emra, dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje që të gjenden eshtrat e babait tim. Kur ke në dorë gjithë shtetin dhe nuk do ta zgjidhësh një rast që e ka vërtetuar vetë gjykata jote, nuk je më dëshmitar i krimit. Bëhesh pjesë e tij.
Neve nuk na intereson politika e Shqipërisë, as e majta, as e djathta. Nuk kërkojmë as dënimin e askujt dhe as hak për gjakun e babait tim. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij, që t’ia bëjmë një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. A mos vallë është shumë kjo që kërkojmë? Edhe serbët, që i kanë vrarë shqiptarët çdo ditë, trupin ua kthenin familjeve. Shqipëria jonë, 31 vjet, nuk e bën dot as këtë.
Andaj i drejtohem Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit, Prokurorisë e SPAK-ut: hapni arkivat e ish-SHIK-ut, rihapni kërkimin për trupin e babait tim me njerëz të caktuar dhe me afat, pyesni çdo person që ishte pjesë e atyre strukturave dhe jepuni garanci atyre që duan të flasin. Dhe i drejtohem edhe atyre që nuk janë shtet, por që dinë. Ju mund të jeni të moshuar sot dhe mund ta keni mbajtur këtë barrë gjithë jetën. Nuk ju kërkojmë emrin. Na tregoni vetëm ku është.
Në këto 31 vjet nuk kemi qenë vetëm. Faleminderit çdo njeriu që e ka ndjerë dhembjen tonë bashkë me ne, në çdo protestë, në çdo intervistë, me çdo fjalë që na ka shkruar. Ndoshta juve ju është dukur pak. Për ne nuk ka qenë pak. Ju jeni Shqipëria që babai im e donte. Dhe pikërisht ju e meritoni udhëheqës që i vënë në vend të parë qytetarët e tyre dhe jo veten, që e bëjnë ligjin të njëjtë për të gjithë, dhe që punojnë për një të ardhme më të mirë për këtë brez dhe për brezin që vjen. Një shtet që 31 vjet nuk ia kthen dot një familjeje eshtrat e babait, nuk mund t’u premtojë fëmijëve të tij asgjë.
Kjo nuk është çështje partie, as feje, as e Kosovës apo e Shqipërisë. Kjo është çështje e çdo shqiptari që ka pasur një baba.
Kemi 31 vjet që jemi djemtë dhe vajzat e një njeriu të zhdukur. Dua të jemi më në fund djemtë dhe vajzat e një njeriu të varrosur. Shqipëri, uroj të mos na shohësh si bij njerke, por si bijtë e Shqipërisë mëmë.
Ardian R. Hoxha
Djali i Remzi Hoxhës
Në emër të familjes Hoxha/ad
