Last Updated on 27/10/2026 by EL
Shkencëtarët kanë zhvilluar një pajisje të quajtur “tualeti i mushkonjave”, e cila analizon mbetjet që ato nxjerrin për të zbuluar patogjenë. Kjo metodë mund të shërbejë si një sistem paralajmërimi të hershëm për kërcënimet e reja shëndetësore.
Mushkonjat konsiderohen kafshët më vdekjeprurëse në botë për shkak të sëmundjeve që transmetojnë. Monitorimi i tyre mund t’i ndihmojë shkencëtarët të zbulojnë viruset që qarkullojnë në mjedis përpara se ato të përbëjnë rrezik për njerëzit.
Për të kuptuar më mirë viruset dhe bakteret që gjenden në mjedis, Dana Price, entomolog në Universitetin Rutgers në Shtetet e Bashkuara, ka zhvilluar një pajisje që analizon mbetjet e mushkonjave.
Pajisja, të cilën Price e quan “tualeti i mushkonjave”, mbledh sasi të vogla lëngu të nxjerra nga mushkonjat, të cilat më pas analizohen për të identifikuar gjurmë gjenetike të patogjenëve.
“Pyetja jonë është nëse ky virus gjendet në mjedis. Mjafton ta kërkosh. Nëse nuk e kërkon, nuk do ta gjesh”, tha Price për Euronews. Ai shtoi se rezultatet sugjerojnë se numri dhe larmia e viruseve me të cilat mushkonjat mund të infektohen natyrshëm janë shumë më të mëdha nga sa mendohej më parë.
Sipas tij, një pajisje e tillë mund t’u japë shkencëtarëve një avantazh në përballjen me viruset e reja. Nëse gjurmët e COVID-19 do të ishin zbuluar përpara se virusi të kalonte te njerëzit, studiuesit mund të kishin fituar një epërsi të konsiderueshme në kuptimin e tij dhe në zhvillimin e vaksinave.
Pajisja është një hinkë e prodhuar me teknologjinë e printimit 3D, e veshur me një material që largon ujin. Ky material bën që lëngu të formojë pika dhe të rrëshqasë drejt një tubi grumbullimi.
Studiuesit vendosën 50 mushkonja të llojit Culex, të mbledhura në një kopsht në Nju Xhersi, brenda pajisjes. Aty, mushkonjat pinin ujë me sheqer nga një copë pambuku, të cilit i ishte shtuar ngjyrues ushqimor i kuq.
Mbetjet e tyre, që përmbanin gjurmë gjenetike të viruseve dhe organizmave të tjerë, u grumbulluan për 18 orë dhe më pas u analizuan në laborator.
Ndryshe nga metodat tradicionale, të cilat kërkojnë kapjen dhe bluarjen e mushkonjave, analizimi i mbetjeve të tyre zvogëlon sasinë e ADN-së së mushkonjave në mostër. Kjo e bën më të lehtë zbulimin e materialit gjenetik të viruseve.
Duke përdorur këtë pajisje relativisht të thjeshtë, ekipi identifikoi provat e para të njohura në kontinentin amerikan për praninë e një virusi të ngjashëm me Hedwig, si dhe zbuloi disa viruse që mund të jenë të panjohura për shkencën.
Studiuesit arritën gjithashtu të izolonin gjenomin e plotë të virusit të Nilit Perëndimor. Ky rezultat tregon se mbetjet e mushkonjave mund të përmbajnë material gjenetik mjaftueshëm cilësor për të rindërtuar të gjithë kodin gjenetik të një virusi. Kjo u mundëson shkencëtarëve të identifikojnë variante të veçanta ose mutacione të virusit.
Megjithatë, Price theksoi se rezultatet e studimit nuk përbëjnë arsye për alarm.
Zbulimi i viruseve të panjohura më parë, ose identifikimi i tyre në vende ku nuk ishin gjetur më herët, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato përbëjnë rrezik për njerëzit. Kjo mund të tregojë thjesht se viruset kanë qarkulluar në mjedis pa u zbuluar deri më tani.
Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Megjithëse pajisja e zhvilluar nga Price ka treguar potencial për zbulimin e viruseve që mbartin mushkonjat në një zonë të kufizuar, hapi i radhës është zgjerimi i kërkimeve në zona më të mëdha gjeografike dhe përmirësimi i pajisjes, në mënyrë që mostrat të ruhen për periudha më të gjata.
Kjo do të mundësonte mbledhjen e materialit biologjik për një kohë më të gjatë, pa humbur cilësinë e nevojshme për analizat laboratorike.
“Ideja është që të mund t’i vendosësh këto kurthe në vende të izoluara ose në zona ku është vërtet e vështirë të shkosh, dhe të kthehesh pas disa ditësh, ndoshta edhe pas një jave”, shpjegoi Price.
Vendosja e pajisjeve në zona të largëta për periudha më të gjata mund ta lehtësojë monitorimin e patogjenëve në vende ku shkencëtarët nuk mund të kryejnë kontrolle të shpeshta. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar se sa efektive mund të jetë kjo metodë në monitorimin e vazhdueshëm të sëmundjeve.
Studiuesit po punojnë gjithashtu për zhvillimin e pajisjeve që mund të përdoren drejtpërdrejt në terren dhe që kombinojnë kapjen e mushkonjave me mbledhjen e mbetjeve të tyre në një proces të vetëm.
