Last Updated on 14/09/2026 by Anisa
Nga ARTUR AJAZI
Për 45 vite me rradhë, shqiptarët, ose shumica e tyre, duke mos përjashtuar edhe zyrtarët, punuan, jetuan, dhe gëzuan jetën me tre turne. Punohej me tre turne në uzina, fabrika, kombinate, hidrocentrale, ndermarje te vogla, të mesme dhe të mëdha. Me tre turne punonte mjeku dhe agronomi, elektrocisti dhe oficeri, polici dhe zyrtari. Ishte e pamundur të gjeje punë, ku të mos kishte turn të dytë dhe të tretë. Në 1988, Ramiz Alia urdhëroi që uzinat, fabrikat dhe kombinatet të aplikonin “sistemin 4 turnësh”.
Kishte apo nuk kishte shtet, kishte apo nuk kishte demokraci apo të drejta të njeriut, fakti ishte se shqiptarëve u binte bretku në punë, si punëtorit apo dhe lapsaxhiut. Nuk kishte as celularë, as whatcap, dhe aq më keq akoma, tik-tok. Ky i fundit, në Shqipëri, ka sjellë mijëra halle, probleme, sherre, debate, grabitje, plagosje, dhe shumë vrasje. Nga tik-toku, janë ndarë çifte (40 per qind e divorceve në shkallë vendi), kanë ndodhur sherre, plagosje, vrasje, madje mes oborreve të shkollave.
Nga tik-toku, janë ndeshur banda mes tyre, nga tik-toku janë vjedhur para, banesa, kanë ndodhur aksidente, dhe fenomene të tjera që kanë rënduar shumë jetën e çdo moshe dhe brezi. Edi Rama e mbylli tik-tokun vitin e kaluar, nisur nga 2 vrasje nxenesish që ndodhën pas sherreve, në oborres shkollash, dhe ambiente fare pranë tyre. Fakti është se, nxenesit e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme, janë thellësisht dhe masivisht të prekur nga epidemia “tik-tok”. Ata përgjatë gjithë vitit shkollor, 90 per qind të kohës në shtepi, shkolla dhe jashtë saj, e shijojnë me tik-tok. Atje shohin video, hedhin video, japin “like” ose shajnë moshatarët e tyre, atje ushtrojnë presion ndaj shokëve, shoqeve, apo dhe moshave të mëdha.
Shkurt, tik-toku, është kthyer në përbindësh, që po ha koka njerzish. Mbi 90 per qind e të rinjve sot, nuk e shohin punën si zgjidhjen e vetme të halleve të tyre, e nevojave të tyre financiare dhe familjare, ndaj janë rritur shumë edhe rastet e veprimeve ekstreme edhe ndaj jetës. Vitin e kaluar 3 vajza, kanë dashur ti japin fund jetës, pasi janë shantazhuar nga tik-toku i shokeve dhe miqve të tyre. U ndala në fillim të shkrimit tek “turni i tretë”, pasi asokohe puna, angazhimet me problemet e tjera që i takonin punës dhe halleve familjare, nuk i linin kohë e shkak të rinjve të asaj kohe, të merreshin me “cic-mice”. Ata e kishin të zënë kohën me mësime, (pasi shkolla kishte rregulla të tjera strikte) me lexime dhe studime jashtëshkollore, me aktivitete reale të cilat mundësonin procesin edukativ. Fatkeqësisht sot në shkolla, ka rënë plotesisht “rybja” e mësuesit.
Mësuesi shihet nga nxënësi si “njeriu që nuk duhet ta prekë, nuk duhet ta qortojë, dhe nuk duhet ta ndeshkojë, edhe kur uluret mes klases, edhe kur filmon mesuesen, edhe kur shikon video mes orës së mësimit nga tik-toku”. Sot nxenesi është “lule mos prek”, pasi ndryshe të merr erëzin. Të thërret mamin, babin, kushuririn, apo të fortin e lagjes, të denoncon në drejtori, dhe mësuesi që interesohet për mbarëvajtjen e orës mësimore, apo që ka raportuar në drejtori nxenesin rrebel, merr vërejtje, apo ikën nga puna. Jemi apo nuk jemi në “dhemokraci” ?
Natyrisht këto ngjasin vetëm në Shqiperi. Nuk ngjasin kurrë në Greqi, Itali, madje as në Moldavi. Ndaj i takon gjithë shtresave të kësaj shoqerie, kryesisht intelektualëve dhe specialisteve të fushës së arsimit, ti japin zgjidhje një situate, e cila po agravon problematikat në shkolla dhe jo vetëm. Synimi është, të rriten breza të arsimuar, të edukuar, të formuar, për të qenë nesër të denjë për veten, familjen dhe shoqerinë.
