Last Updated on 14/09/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë për mediat pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, ku mori pjesë në Konventën Republikane të zgjedhjeve të mesmandatit.
Berisha foli për vizitën në SHBA dhe e krahasoi atë me udhëtimin e tij të parë atje, 35 vite më parë, duke u ndalur edhe te mesazhet politike që përcolli gjatë vizitës.
“Pas kthimit nga SHBA, ku së bashku me kryetarin e PR morëm pjesë në delegacionin e IDU si anëtarë delegacioni në Konventën Republikane të zgjedhjeve të mesmandatit, dhe sekretarin për marrëdhënien ndërkombëtare, sekretarin organizativ, nënkryetarin e partisë dhe kryetaren e LDG, morëm pjesë në konventën më të bukur të organizuar në SHBA.
Dhe kur them në SHBA, kjo vetëkuptohet edhe në planetin tonë, pasi askush nuk e ka më të madhe fantazinë dhe magjinë elektorale dhe organizative të të konventave sa e kanë dy partitë e mëdha, dhe tani konkretisht partia në pushtet e SHBA, Partia Republikane.
Sa për hyrje, në mënyrë të çuditshme ky udhëtim sado që është 35 vite larg dhe po të doni thoni edhe vite drite larg udhëtimit tim të parë, i kishte 3 ngjashmëri me të.
Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta.
Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim, unë shkova me një qëllim kryesor: të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës tonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Së treti, në atë udhëtim ku unë me mikun tim të ndjerë Gramoz Pashko shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA, thashethemi dhe i tëri establishmenti u tërbuan kundër nesh.
Ata lëshuan ndaj meje dhe Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës, etj, etj, por kësaj radhe nuk ishin më të pakëta.
E vërteta është që në Makondën e Kolonel Buendias, kësaj radhe, të themi të vërtetën, për shkak të shumësisë së medieve ishin edhe më të shumta”, tha Berisha./ad
