Analisti politik Enton Abilekaj dhe deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, debatuan në emisionin “Të Paekspozuarit” lidhur me zgjedhjen e kreut të PD-së, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.
Gjatë debatit, Abilekaj kritikoi grupimin e Korreshit për mënyrën si u ribashkua me Berishën, duke thënë se premtimi për “bashkim në diversitet” nuk u reflektua në garën për drejtimin e partisë.
Sipas analistit, grupimi i Korreshit kishte detyrimin të paraqiste një kandidat alternativ përballë Berishës, në mënyrë që të përfaqësohej mendimi ndryshe brenda PD-së.
“Ju u thatë mbështetësve se do të bashkoheshit në diversitet, jo se do të shkriheshit dhe të bëheshit një me Sali Berishën. Kandidati i grupimit tuaj ishte detyrim, jo dëshirë, që ata njerëz që nuk e besojnë Berishën, por ju besuan juve, të mos mbeteshin të papërfaqësuar”, u shpreh Abilekaj.
Nga ana tjetër, Korreshi u mbrojt duke deklaruar se ka qenë gjithmonë konsistent në qëndrimet e tij dhe se debatet e brendshme në PD nuk i ekspozon publikisht.
“Unë flas pa teklif në grupin parlamentar dhe flas edhe kundër Sali Berishës”, deklaroi Korreshi, duke theksuar se mendimi ndryshe ekziston brenda partisë.
Pjesë nga biseda
Abilekaj: Unë i kam problem këto deklarata se ju zoti Korreshi jeni bashkuar në diversitet me grupin e zotit Berisha dhe ju keni marrë përsipër të jeni diversiteti. Të jeni alternativa, mendimi ndryshe, ju duhet të nxirrni një kandidat, që të kishte zgjidhje të tjera dhe të përfaqësohej me një fraksion dhe kjo është detyrim për ju, jo dëshirë. Është detyrim për ju dhe mbëeshtetësit që ju keni. Sepse ju u thatë mbështetësve që po bahkohemi në diversitet. Nuk u thatë se do të shkrihemi dhe do të bëhemi një me Sali Berishën dhe do të jemi “yes menë”t e tij.
Ju nuk thatë se do të bashkoheshit me Sali Berishën ku fjala e Saliut është urdhër dhe të linçonit një njeri që nuk e do Berisha dhe i turremi të gjithë dhe e shpallim armik. Ju thatë që do të bashkohemi në mënyrë demokratike. Kandidati i grupimit tuaj ishte detyrim që ajo parti të funksionojë si forcë unike, sepse ata njerëz që janë atje dhe që nuk e besojnë Saliun, por ju besuan juve, janë sot të papërfaqësuar në këto zgjedhje.
Korreshi: Tani ma beso një gjë. Unë kam qenë konsistent në gjërat e mia dhe kam dashur që pjesën e PD-së të mos e nxjerr në ekran. Unë flas pa teklif në grupin parlamentar dhe flas edhe kundër Sali Berishës.
