Mira Konçi dhe Shpëtim Saraçi sollën përgjatë viteve të tyre të qëndrimit në Shqipëri hite duke rezultuar si një dyshe e suksesshme artistike. Më vonë, kimia e tyre në art përshkallëzoi edhe në jetë dhe nga dashuria erdhën dy fëmijët në jetë, Era dhe Drini.
Me largimin e Erës në SHBA për studime, edhe çifti bashkë me djalin iu bashkuan në vitin 2017. Siç Mira Konçi tregon në programin “Rudina” në Tv Klan, veç shkollimit të fëmijëve, një nga arsyet ishte edhe kujdesi shëndetësor për kompozitorin.
Me kalimin e kohës gjërat ndryshuan. Këngëtarja thotë se mes tyre pati një marrëveshje që ai të vijonte karrierën në Shqipëri, ndërsa Mira të qëndronte me fëmijët në SHBA pasi e kishte të pamundur mos të ishte pranë tyre.
“U pa gjatë rrugës që Shpëtimi ndihej më mirë këtu dhe u vendos një marrëveshje e tillë nëse e quajmë marrëveshje që unë nuk mund t’i lija fëmijët vetëm në asnjë mënyrë, s’mundesha. Nuk ishin fare-fare të vegjël, por ishte mosha më kritike nuk mundesha, qoftë Drinin, Era sapo mbaroi shkollën, duhet të isha aty për Erën, mezi e prisnim atë moment, Drini ishte në vit të dytë të shkollës së mesme, ishte e pamundur që ta lija vetëm”,-tha Mira Konçi.
