Last Updated on 06/05/2026 by EL
Pasi e pezulloi dy ditë më parë, Hita shkarkon nga detyra drejtorin e Policisë së Durrësit, Afrim Tafën. Arsyeja e shkarkimit sipas kryepolicit është performanca e dobët.
Tafa u pezullua nga detyra dy ditë më parë pas aksidentit të rëndë në Durrës ku 57-vjeçari Nikollë Radaçi i dehur në timon përplasi për vdekje dy fëmijë.
Në kuadër të masave pas aksidentit të rëndë po sot Policia e Shtetit njoftoi rikthimin e patrullave në terren për të kryer ndalime të shoferëve shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor. Në fakt më 10 prill ishte vetë Hita që urdhëroi heqjen e patrullave në rrugët interurbane dhe urdhëroi policinë rrugore të mos ndalonin drejtuesit e mjeteve.
Afrim Tafa drejtoi Policinë e Durrësit për rreth 3 muaj e gjysmë. Ai u emërua në detyrë nga ish-kryepolici, Ilir Proda./ET
