Arabia Saudite ka anuluar dënimin me vdekje ndaj një punëtori emigrant nga Sri Lanka, i cili u dënua për një koment të publikuar në Facebook, që autoritetet saudite e konsideruan fyes ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed.
Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra, i cili njoftoi se Gjykata e Lartë saudite ka rrëzuar dënimin ndaj 27-vjeçarit Anojan Sivarasa.
Në një postim në Facebook, Hemachandra falënderoi autoritetet dhe ekipet ligjore të të dy vendeve për përpjekjet e tyre në këtë çështje, e cila shkaktoi reagime të forta në Sri Lanka dhe nxiti angazhimin diplomatik për të kërkuar faljen e të dënuarit.
Sivarasa ishte dënuar me vdekje në shtator, pasi një gjykatë apeli në Arabinë Saudite e shpalli fajtor për blasfemi ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed.
Rasti lidhet me një debat në rrjetet sociale që shpërtheu në fund të qershorit, pasi pamjet e një të riu mysliman duke goditur me shkelma një qen, pas një grupi pelegrinësh hindu, u përhapën gjerësisht në internet.
Videoja nxiti diskutime dhe përplasje virtuale me karakter fetar. Gjatë debatit, një përdorues publikoi komente përçmuese ndaj një hyjnie hindu, ndërsa Sivarasa reagoi në gjuhën tamile me një koment fyes ndaj Profetit Muhamed.
Sipas raportimeve, 27-vjeçari e fshiu shpejt komentin dhe publikoi një video ku kërkonte falje. Megjithatë, një fotografi e komentit u vu në dijeni të punëdhënësit të tij dhe autoriteteve saudite, çka çoi në arrestimin e tij në korrik.
Fillimisht, Gjykata Penale e Al-Ahsa-s e kishte dënuar Sivarasën me pesë vjet burg dhe një gjobë prej tre milionë rialësh sauditë, rreth 800 mijë dollarë. Më pas, dënimi u rëndua në apel, duke u kthyer në dënim me vdekje.
Pavarësisht anulimit të dënimit me vdekje, ende nuk është e qartë nëse ndaj Sivarasës do të zhvillohen procedura të tjera ligjore, nëse ai do të vijojë të mbahet në paraburgim apo sa mund të zgjasë qëndrimi i tij në burg.
Ligjvënësi nga Sri Lanka, Faizer Mustafa, i cili është përfshirë në negociatat ligjore me Arabinë Saudite për këtë çështje, konfirmoi për BBC Sinhala se dënimi me vdekje është rrëzuar. Ai shtoi se po shqyrtojnë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për të kuptuar hapat e mëtejshëm.
Familja e 27-vjeçarit kishte deklaruar më herët se nuk kishte pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të që prej 28 shtatorit, duke shtuar shqetësimin për fatin e tij.
Çështja e Sivarasës kishte tërhequr vëmendjen edhe të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat i kishin bërë thirrje Arabisë Saudite të mos e ekzekutonte.
Joey Shea, studiuesja e lartë për Arabinë Saudite në Human Rights Watch, kishte kritikuar përdorimin e ligjeve që parashikojnë dënime të rënda për deklarata të publikuara në internet, veçanërisht kur bëhet fjalë për punëtorë emigrantë që ndodhen në pozita të cenueshme dhe kanë mbrojtje të kufizuar.
“Autoritetet saudite duhet t’i japin fund përdorimit të ligjeve abuzive për të dhënë dënime ekstreme për vepra që lidhen me shprehjen e mendimit, veçanërisht ndaj punëtorëve emigrantë”, ishte apeli i saj./ad
