Shtatë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se një duzinë të tjerë janë plagosur pas një incidenti të rëndë me shtyrje dhe panik të turmës pranë tempullit Ashok Dham, në distriktin Lakhisarai të shtetit Bihar, në lindje të Indisë.
Ngjarja ndodhi të hënën në mëngjes, rreth orës 06:30, kur mijëra besimtarë ishin mbledhur pranë tempullit për t’u lutur. Sipas raportimeve, një tel elektrik u këput jashtë ambienteve të tempullit, duke shkaktuar panik mes turmës. Njerëzit u përpoqën të largoheshin me shpejtësi nga zona nga frika e goditjes elektrike. Në kaosin e krijuar, njerëzit filluan të shtyheshin dhe barrierat e vendosura për kontrollin e turmës u rrëzuan nën presionin e madh.
Disa persona ranë përtokë, ndërsa të tjerë u rrëzuan mbi ta, duke shkaktuar shtypje dhe plagosje të shumta. Më shumë se dhjetë persona u dërguan në një spital shtetëror për trajtim mjekësor. Ngjarja në Bihar ndodhi vetëm disa orë pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një hotel në qytetin Tarapith, në shtetin fqinj të Bengalit Perëndimor. Edhe në këtë incident humbën jetën shtatë persona, ndërsa disa të tjerë mbetën në gjendje kritike.
Zjarri shpërtheu rreth orës 04:30 në katin përdhes të një hoteli katërkatësh, ku qëndronin shumë pelegrinë. Shumica e të ftuarve ishin në gjumë kur nisi zjarri. Menaxhmenti i hotelit tha se flakët mund të jenë shkaktuar nga djegia e një komponenti elektrik pranë recepsionit, në sistemin e furnizimit me energji të ndërtesës.
Të plagosurit u dërguan në spital, ku morën trajtim për djegie, thithje tymi dhe asfiksi. Të dyja ngjarjet ndodhën gjatë të hënës së tretë të muajit Shravan, një periudhë shumë e rëndësishme për besimtarët hindu. Gjatë këtij muaji, miliona njerëz në pjesë të ndryshme të Indisë agjërojnë, luten dhe marrin pjesë në pelegrinazhe e festivale kushtuar perëndisë Shiva.
Incidentet kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë në grumbullimet e mëdha fetare në Indi, ku turma shumë të mëdha mblidhen shpesh në hapësira me kapacitete të kufizuara dhe me masa të pamjaftueshme për kontrollin e lëvizjes së njerëzve.
Në janar të vitit 2025, të paktën 30 persona humbën jetën gjatë festivalit Maha Kumbh, pasi dhjetëra mijëra besimtarë u dyndën për t’u larë në një lumë të shenjtë. Ndërsa në vitin 2013, rreth 115 pelegrinë u vranë në shtetin Madhya Pradesh, pasi një turmë u përfshi nga paniku për shkak të frikës se një urë mund të shembej. Shumë prej viktimave u shtypën nga turma ose ranë në lumë dhe u mbytën./mxh
