Last Updated on 03/11/2026 by EL
Deputeti Ulsi Manja ka reaguar së fundmi në rrjetet sociale pas ndarjes nga jeta të avokatit Saimir Vishaj. Përmes një postimi në Facebook, Manja shprehet se e njeh avokatin prej shumë vitesh, që në kohën kur ata ishin përball njëri-tjetrit në çështje të ndjeshme penale.
Manja e përshkruan avokatin si një njeri të fjalës, të drejtpërdrejtë dhe këmbëngulës, i cili nuk i braktiste miqtë dhe kolegët kur besonte se ata kishin të drejtë. Po ashtu deputeti shpreh dhimbje për humbjen e mikut të tij, duke theksuar se gjurma e tij do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
Postimi i plotë:
Saimiri iku, por la pas gjurmën e tij!
Me Saimirin jemi njohur shumë vite më parë. Fillimisht, unë si prokuror dhe ai si avokat, përballë njëri-tjetrit në çështje të ndjeshme penale, ku secili mbronte pozicionin e vet. Kështu vazhduam deri në vitin 2009, kur edhe unë iu bashkova avokatisë për një periudhë të shkurtër, përpara se të angazhohesha në politikë, ku jam edhe sot.
Nga ajo kohë ruaj shumë kujtime, por një ndër më të veçantat mbetet nisma e Saimirit për krijimin e Shoqatës së Avokatëve Penalistë. Me këmbënguljen dhe pasionin e tij, nisëm së bashku këtë rrugëtim, që sot është kthyer në një histori suksesi. Shoqata bashkon qindra avokatë penalistë, ka fituar autoritet në mendimin juridik dhe ka ndërtuar bashkëpunime me organizata homologe brenda e jashtë vendit. Është një trashëgimi e vyer që Saimiri i la avokatisë shqiptare.
Përtej profesionistit, unë do ta kujtoj Saimirin si mikun dhe kolegun që nuk të linte kurrë në baltë kur besonte se kishe të drejtë. Ishte njeri i fjalës, i drejtpërdrejtë, këmbëngulës dhe me guximin për të thënë hapur atë që mendonte, si në sallat e gjyqeve, ashtu edhe në debatet publike për drejtësinë dhe politikën.
Saimiri iku shumë herët. Është e vështirë të pranosh largimin e një miku me të cilin ke ndarë kaq vite njohjeje, përvoja dhe përpjekje të përbashkëta. Por më mbetet kujtimi i mirë i tij dhe respekti për gjithçka që arriti të ndërtonte me aq pasion.
Sot i jap lamtumirën me dhimbje mikut dhe shokut tim, duke besuar se gjurma që la do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve që e njohën.
Lamtumirë, miku im i mirë, avokat Saimir Vishaj!
U prehsh në paqe!
/et
