Ishte ajo që pritej. Dy derbe luheshin në gjysmëfinalet e Grand Slemit të fundit të vitit, US Open, dhe u fituan nga favoritët. Më herët, në fushën e Arenës Arthër Ejsh në Nju Jork, përballë ishin tenisti gjerman me origjinë ruse, Aleksandër Zverev, dhe tenisti rus, Karen Haçanov. Fitoi talenti më I madh, I cili tashmë ka po aq pikë sa Janik Siner në krye të renditjes botërore për meshkuj. Zverev ia doli në dy orë e 57 minuta, ndërsa ka kaluar në terren më shumë kohë se të gjithë tenistët e tjerë, gati 20 orë.
Kjo për shkak se pati fitore në 5 sete në raundin e parë e të dytë. Gjithsesi, nuk ndodhi kështu këtë herë. Fitorja ndaj Haçanovit ishte në 3 sete, me rezultatin 6-3, 7-6 e 7-6, edhe pse dy setet e fundit ishin tepër të ashpër. Kampioni në fuqi në “Rolan Garos” të Parisit arriti finalen e pestë në karrierë në Grand Sleme, ndonëse 3 i ka humbje. Përballë tij do të jetë tenisti shumë në formë amerikan, Ben Shelton.
Djaloshi 23-vjeçar nga Atlanta nuk e ka emrin e madh të rivalit, por ka momentin, pasi eliminoi më parë favoritin spanjoll, Karlos Alkaraz, dhe në gjysmëfinale mundi patriotin e tij, Fransis Tiafo. Tiafo fitoi setin e parë 6-4, por pastaj rivali nuk lejoi surpriza. Edhe pse aktualisht mban numrin 124 në botë, pra mund të quhet një e papritur e madhe, Shelton po luan si një pretendent I vërtetë. Ai ia doli në tre setet e tjera 6-3, 6-3 e 7-5 duke e merituar finalen. Shelton synon të bëhet I pari amerikan që fiton në US Open që kur ia doli Andi Rodik në 2003./k.m
