Zëvendëspresidentit amerikan JD Vance ka deklaruar se memorandumi i mirëkuptimit “MoU” midis SHBA dhe Iranit është “një dokument shumë i përgjithshëm”, duke shtuar se detajet e marrëveshjes do të përcaktohen gjatë negociatave të mëtejshme.
“MoU është rreth një faqe e gjysmë, pra është një dokument shumë i përgjithshëm,” tha Vance në një intervistë për CNN të hënën në mbrëmje, gjatë daljeve të tij në mediat amerikane për të promovuar marrëveshjen.
Ai shtoi se një sërë çështjesh do duhet të marrin përgjigje gjatë fazës së negociatave teknike.
“Për një sërë çështjesh, do të duhet t’i zgjidhim gjatë fazës së negociatave teknike”, pohoi ai.
Deklaratat e tij vijnë ndërsa shumë republikanë në Kongres kanë shprehur nevojën për më shumë informacion mbi marrëveshjen, ndërsa disa kanë shfaqur skepticizëm dhe kanë kërkuar sqarime nga Shtëpia e Bardhë.
“Thjesht nuk di mjaftueshëm për të. Edhe njerëzit që e ndjekin nga afër këtë çështje këtu nuk dinë shumë.”, tha lideri i shumicës në Senat, John Thune.
Marrëveshja e shpallur të dielën për t’i dhënë fund luftës me Iranin, e cila pritet të nënshkruhet të premten në Gjenevë, fokusohet në rihapjen e ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane në rajon, si dhe në stimuj financiarë për Iranin nëse përmbush disa kushte.
Vance gjithashtu tha se inspektorët bërthamorë do të kthehen në Iran si pjesë e marrëveshjes me Uashingtonin për t’i dhënë fund luftës.
“Në fakt, një nga pjesët kryesore të marrëveshjes është që IAEA dhe Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Iranin të shkatërrojë rezervat e pasuruara shumë,” tha ai, duke shtuar se kjo është e përcaktuar qartë në memorandumin e mirëkuptimit.
Megjithatë, nuk është bërë ende e qartë se çfarë parashikon marrëveshja për programin bërthamor të Iranit, pasi detajet ende nuk janë publikuar dhe palët kanë dhënë versione të ndryshme.
Donald Trump ka deklaruar se “Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore”, ndërsa zyrtarë nga Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar marrëveshjen, kanë thënë se bisedimet për çështjen bërthamore do të vazhdojnë edhe 60 ditë të tjera.
Trump ka shtuar se SHBA mund të rifillojë sulmet ndaj Iranit nëse nuk arrihet marrëveshja. Hezbollah paralajmëroi gjithashtu se nuk do të pranojë sulme që cenojnë sovranitetin e Libanit./mxh
