**
Vapa ekstreme nuk shkakton vetëm lodhje dhe dehidrim, por mund të përshpejtojë edhe proceset e plakjes qelizore. Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature Climate Change, ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit mund të ndikojë në organizëm në një mënyrë të ngjashme me efektet e konsumit të alkoolit dhe duhanit, ndërsa përdorimi i mjeteve për ftohje, si kondicionerët, duket se e zbut këtë efekt.
Studimi u zhvillua në Tajvan dhe analizoi 30 valë të të nxehtit të regjistruara mes viteve 2008 dhe 2022, duke i krahasuar me të dhënat shëndetësore të afro 25 mijë personave. Ekspozimi ndaj temperaturave të larta u përcaktua duke kombinuar matjet e temperaturës në zonat ku banonin pjesëmarrësit me adresat e tyre të rezidencës.
Rezultatet treguan se temperaturat e larta shoqërohen me rritje të inflamacionit në organizëm, ndryshime në presionin e gjakut dhe ndikim negativ në shëndetin e disa organeve. Efektet ishin më të theksuara në zonat rurale, ku përdorimi i kondicionerëve është më i kufizuar./FC
