Edhe pse e vërteta e supozuar po del në dritë pas tre vitesh, duket se në ujërat e Liqenit Maggiore ndodhi pikërisht ajo që shumë analistë kishin parashikuar: një operacion i përbashkët, takime të zhvilluara gjatë 2-3 ditëve, për shkëmbim informacioni. Një bashkëpunim mes shërbimeve sekrete italiane dhe atyre izraelite në territorin e Lombardisë dhe Piemontit. Një ekip i vetëm, me një qëllim të përbashkët: kundër Iranit dhe programit të tij bërthamor.
Corriere Della Sera shkruan se gjatë këtyre takimeve mund të jenë kryer edhe verifikime në terren, ndjekje apo vëzhgime të objektivave, si dhe takime me emisarë. Qëllimi kryesor ishte mbledhja, përpunimi dhe analizimi i informacionit për të kundërshtuar politikat iraniane në fushën e armatimeve.
Ngjarja tragjike ndodhi pas një stuhie të papritur dhe të dhunshme, e cila krijoi dallgë të forta që përmbysën mjetin lundrues, ndërsa grupi po kthehej nga një shëtitje dhe një drekë që shënonte përfundimin e misionit. Varka u përmbys dhe u fundos jo në det të hapur, por në liqen, pranë bregut. Ishte pasditja e së dielës, 28 maj 2023, në një ditë me kushte të paqëndrueshme atmosferike, momenti që shënoi fillimin e një rasti të mbuluar për një kohë të gjatë nga misteri.
Si pasojë e aksidentit humbën jetën katër persona: Anya Bozhkova, 50 vjeç, bashkëshortja e kapitenit Claudio Carminati, e cila nuk dinte të notonte mirë, si dhe tre agjentë. Dy prej tyre ishin italianë, Tiziana Barnobi (53 vjeç) dhe Claudio Alonzi (62 vjeç), pjesë e shërbimit sekret italian AISE, të cilët mbetën të bllokuar ndërsa varka fundosej me shpejtësi. Agjenti i tretë, një izraelit 54-vjeçar, gjithashtu humbi jetën i bllokuar brenda mjetit. Identiteti i tij nuk është bërë kurrë publik.
Shefi i Mossad-it, David Barnea, në një ceremoni ka pranuar tashmë se agjenti humbi jetën “jashtë vendit gjatë operacioneve kundër Iranit, të lidhura drejtpërdrejt me programin bërthamor iranian”, duke konfirmuar kështu natyrën e misionit në zonën e Liqenit Maggiore. Ai u identifikua vetëm si agjenti “M.” dhe kishte shërbyer në Mossad për rreth 30 vite.
Hetimi i Prokurorisë së Busto Arsizio-s përfundoi duke i atribuar përgjegjësinë kryesore kapitenit të mjetit, për shkak të menaxhimit të dobët të situatës dhe kushteve jo të rregullta të varkës turistike 16-metërshe, e cila rezultoi e keqmbajtur dhe me numër pasagjerësh mbi limitin e lejuar. Skipper Carminati pranoi një dënim prej katër vitesh burg për akuza të fundosjes dhe vrasjes nga pakujdesia.
Sipas Barnea-s, agjenti “M.” kishte drejtuar operacione të rëndësishme për sigurinë e Izraelit, duke ndikuar ndjeshëm në fushatën kundër programit bërthamor dhe raketor të Iranit. Ai u përshkrua si një person i qetë, i respektueshëm dhe me aftësi të mira komunikimi, i cili kishte krijuar marrëdhënie të forta me kolegët dhe bashkëpunëtorët.
Para tragjedisë, grupi kishte kaluar disa momente relaksi në ishullin e njohur Isola dei Pescatori, një vend i preferuar edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu./mxh
