Last Updated on 14/11/2026 by EL
Kampioni olimpik Pirro Dhima ka paraqitur dorëheqjen nga posti i sekretarit special të Federatës Greke të Peshëngritjes, pas shpërthimit të skandalit të steroideve anabolike, në të cilin është i përfshirë vëllai i tij, Odisea.
Sipas të njëjtave burime, siç raportohet nga SKAI në Greqi, dorëheqja e Pirro Dhimës nuk u pranua nga zëvendësministri i Sportit, Yiannis Vroutsis.
Më herët, Federata Greke e Peshëngritjes mohoi kategorikisht çdo lidhje me Odysseas Dhima, vëllain e kampionit të peshëngritjes Pirro Dhima, pas arrestimit të tij në kuadër të një hetimi për një rast dopingu. Ai po përballet me akuza për krime dhe kundërvajtje.
Në një deklaratë, pa përmendur emrin e tij, EOAB sqaron se Odysseas Dhima nuk ka asnjë lidhje, bashkëpunim apo rol institucional në Federatë. Njëkohësisht, ajo deklaron se është informuar për arrestimin ekskluzivisht nga shtypi dhe se, në kohën e lëshimit të deklaratës, nuk kishte marrë informacion zyrtar nga autoritetet kompetente.
Prokuroria greke ka nisur procedim penal kundër tij për furnizim, ruajtje dhe tregtim të paligjshëm të substancave të ndaluara.
Akuza ndaj vëllait 58 vjeçar të Pirro Dhimës ka të bëjë me veprën penale të furnizimit, ruajtjes dhe tregtimit të paligjshëm të substancave të ndaluara, të cilat kanë potencialin të ndryshojnë pozitivisht performancën gjatë garave të ndryshme.
Trajneri Odysseas Dhima u arrestua mëngjesin e së enjtes, më 12 nëntor 2026, nga oficerët e policisë të Nëndrejtorisë së Prokurorisë së Krimeve Ekonomike të Drejtorisë së Masave Kundër Krimit të Organizuar, pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare Antidoping dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF)./et
