Klubi i Skënderbeut ka nisur prej disa ditësh fazën përgatitore për edicionin e ri futbollistik, nën drejtimin e Julian Ahmatajt. Paralelisht me seancat stërvitore, vëmendja në Korçë ka qenë e përqendruar te ndërtimi i skuadrës dhe lëvizjet në merkaton e verës.
Gjatë kësaj periudhe, një nga çështjet që kishte mbetur e pezulluar ishte mungesa e sulmuesit egjiptian, Saleh Nasr, në seancat e para stërvitore të grupit bardhekuq, gjë që kishte nxitur diskutime mbi të ardhmen e tij.
Vonesa e lojtarit për t’u rreshtuar nën urdhrat e trajnerit nuk ka pasur lidhje me mosmarrëveshje kontraktuale apo financiare mes palëve, por ka ardhur si rrjedhojë e procedurave të stërzgjatura burokratike për pajisjen e tij me vizë. Tashmë, procedurat e dokumentacionit janë mbyllur me sukses dhe lojtari ka siguruar lejen e nevojshme për të udhëtuar drejt Shqipërisë.
Sipas programit të parashikuar, Saleh Nasr pritet të mbërrijë në Korçë brenda pak ditësh për t’iu bashkuar menjëherë pjesës tjetër të lojtarëve. Pasi të kryejë testet e nevojshme fizike, ai do të nisë stërvitjen e diferencuar për të kapur ritmin e grupit që ka filluar punën më herët. Integrimi i tij i shpejtë vlerësohet me rëndësi nga stafi teknik, pasi lojtari shihet si një element i rëndësishëm për të garantuar stabilitet në repartin e mesfushës për sezonin e ri.
Po ashtu është sqaruar edhe situata e një tjetër sulmuesi. Bëhet fjalë për anësorin e sulmit, Tajon, i cili më herët kishte një aventurë të shkurtër gjashtëmujore me klubin juglindor përpara se të huazohej te Kukësi. Pasi mbylli periudhën e huazimit në radhët e verilindorëve, sulmuesi tentoi të vishte sërish fanellën bardhekuqe për sezonin e ri.
Megjithatë, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kanë dhënë një përgjigje negative, duke mos e llogaritur atë në projektin e ri teknik.
Me zgjidhjen e kësaj çështjeje, drejtuesit e Skënderbeut po fokusohen te hapat e radhës në merkato, ku po hulumtohen mundësi të tjera për afrimin e lojtarëve në pozicionet që konsiderohen të zbuluara. Faza përgatitore do të vijojë me intensitet të plotë në ditët në vijim, ku pritet të programohen edhe ndeshjet e para miqësore./mxh
