Qyteti i njohur italian, Venecia, po përballet me një debat të ri politik, pas propozimit për rritjen e ndjeshme të tarifës së hyrjes për turistët ditorë, që mund të arrijë deri në 50 euro në ditë.
Kryetari i ri i bashkisë së Venecias, Simone Venturini, ka propozuar që taksa aktuale prej 5 deri në 10 euro, të rritet në 30 deri në 50 euro – në ditët me fluks të lartë vizitorësh, raportoi media italiane “Corriere della Sera”.
Venturini, i cili fitoi zgjedhjet lokale në fund të majit, si kandidat i së djathtës qendrore, pasoi në detyrë Luigi Brugnaro, që drejtoi qytetin për një dekadë.
Aktualisht, Venecia aplikon një tarifë hyrjeje për vizitorët afatshkurtër – 60 ditë deri në fund të korrikut.
Ata që e rezervojnë paraprakisht paguajnë 5 euro, ndërsa në rastet e tjera, tarifa shkon në 10 euro, edhe për vizita disaorëshe në zonat ikonike si, Sheshi i Shën Markut dhe Ura e Rialtos.
Masat janë pjesë e përpjekjeve për të frenuar turizmin masiv, i cili prej vitesh konsiderohet një nga problemet kryesore të qytetit lagunor.
Megjithatë, kritikët argumentojnë se niveli aktual i tarifës, nuk ka ndikim real në uljen e numrit të vizitorëve.
Gjatë fushatës zgjedhore, Venturini propozoi rritjen e mëtejshme të tarifës në ditët me ngarkesë të lartë turistike, por ai nuk ka ende kompetencën për ta zbatuar këtë ndryshim.
Sipas rregullave aktuale, kufiri maksimal i tarifës përcaktohet nga ligji kombëtar, që do të thotë se, çdo ndryshim kërkon konsultim me qeverinë në Romë.
Ndërkohë, eksperti i së drejtës kushtetuese, Ludovico Mazzarolli ka shprehur shqetësime ligjore, duke paralajmëruar se tarifa prej 50 eurosh, mund të interpretohet si kufizim i lirisë së lëvizjes./mxh
