Publiku është duke pritur me interes filmin më të ri “Verity”, një thriller psikologjik-erotik që sjell përballë dy aktore të njohura hollywoodiane, Anne Hathaway dhe Dakota Johnson.
Filmi është i bazuar në romanin bestseller me të njëjtin emër nga autorja Colleen Hoover dhe sjell historinë e Lowen Asghleigh, e interpretuar nga Dakota Johnson, një shkrimtare në vështirësi që punësohet për të përfunduar veprat e autores së famshme Verity Crawford, rol i luajtur nga Anne Hathaway.
Por ajo që duket si një mundësi profesionale shndërrohet shpejt në një makth psikologjik. Ndërsa Lowen zhvendoset në rezidencën luksoze të familjes Crawford, ajo zbulon sekrete të errëta dhe shqetësuese që lidhen me Verity dhe bashkëshortin e saj, Jeremy, të interpretuar nga Josh Hartnett.
Filmi shënon një tjetër vit të ngjeshur për Anne Hathaway, e cila këtë vit vjen edhe me projekte të tjera të rëndësishme si “Mother Mary”, vazhdimi i shumëpritur i “The Devil Wears Prada”, si dhe filma të rinj me regji nga Christopher Nolan dhe projekte të tjera në zhanrin fantastiko-shkencor.
“Verity” është një nga katër adaptimet kinematografike të veprave të Colleen Hoover gjatë viteve të fundit, një autore që është kthyer në fenomen global sidomos në zhanrin e dramës romantike dhe psikologjike. Ajo gjithashtu është e përfshirë si producente në këtë projekt.
Regjinë e filmit e mban Michael Showalter, i njohur për filma si “The Big Sick” dhe “The Eyes of Tammy Faye”.
“Verity” pritet të dalë në kinema më 2 tetor dhe tashmë po cilësohet si një nga thriller-at më të shumëpritur të vitit./mxh
