Last Updated on 20/10/2025 by EL
Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, botuesja Loreta Berhami flet për librin “Brezi i Ankthit” të psikologut social Jonathan Haidt — një studim që përpiqet të kuptojë pse brezat e rinj po përballen me nivele gjithnjë e më të larta ankthi, izolimi dhe pasigurie emocionale.
Një nga krahasimet më goditëse që sjell Haidt është ai midis rrjeteve sociale dhe makinave të fatit. Edhe Berhami e përmend këtë ide gjatë bisedës:
“Duket sikur jemi më të lidhur, por në të vërtetë kjo është një slot machine e vazhdueshme, e cila të jep doza të vogla dopamine, kënaqësie të çastit. Dhe Këto doza të vogla dopamine, të cilat jepen sa herë që ne bëdhe sa herë që ne bëjmë scroll, apo na del një histori, apo një reel, apo diçka që na pëlqen aty për aty, rrisin nivelin e pandjeshmërisë së trurit të njeriut. Në këtë mënyrë rritet varësia dhe truri kërkon gjithmonë e më shumë, sepse bëhet gjithmonë e më i pandjeshëm. Kjo rritje e pandjeshmërisë na çon në paaftësi për të kërkuar dhe për të ndjerë dopaminën afatgjatë.
Çfarë është dopamina afatgjatë? Unë punoj sot, punoj nesër, punoj për një javë dhe pas një jave apo dy javësh kam një sukses në jetë. Efekti më tradicional i historisë së njerëzimit. Unë sforcohem, punoj dhe pastaj marr një shpërblim të caktuar. Ky lloj mekanizmi ka filluar të prishet, të ç’rregullohet, dhe kjo gjë sjell një izolim natyrshëm, sepse tashmë nuk jemi duke vepruar në këtë shoqëri që i bindej këtyre rregullave, jemi duke vepruar dhe duke jetuar në një tjetër shoqëri. E kjo shoqëria tjetër na e jep dopaminën falas. Mjafton që të rrimë aty. Mjafton që të shohim. Kjo sjell izolim, sepse nuk jemi më duke luajtur me lojën e vjetër. Jemi duke luajtur një tjetër lojë dhe qëllimi i kësaj lojës nuk është që në vërtetë na bëjë të lumtur. Qëllimi i kësaj loje është që të na mbajë aty.”
Në librin e Haidt, ky krahasim përfaqëson mënyrën se si platformat digjitale janë ndërtuar për të mbajtur përdoruesin sa më gjatë në ekran, duke e stimuluar përmes shpërblimeve të rastësishme, po aq të parashikueshme dhe që shkaktojnë po aq varësi sa një makinë fati në një kazino.
Në reflektimin e Berhamit, pasojat shkojnë përtej psikologjisë individuale. Varësia nga dopamina e menjëhershme po ndryshon mënyrën si punojmë, si kërkojmë kuptim dhe si e ndërtojmë përvojën tonë kolektive.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Si rrjetet sociale vodhën fëmijërinë e një brezi | Loreta Berhami | Apostrof #40
