Protesta e minatorëve të Spaçit ka hyrë sot në ditën e saj të 13-të, ndërsa punëtorët kanë qëndruar të grumbulluar që prej orës 06:00 të mëngjesit, duke kërkuar zgjidhje për kërkesat e tyre.
Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të shiut, ata mbeten të vendosur për të mos ndalur protestën derisa të marrin një përgjigje konkrete nga drejtuesit e kompanisë.
Ende asnjë përfaqësues i firmës nuk është paraqitur në vendin e protestës për të zhvilluar një bisedë me punëtorët apo për të dhënë sqarime mbi situatën.
Minatorët kërkojnë kushte më të mira pune, pagesa të prapambetura dhe garantimin e të drejtave të tyre sipas kontratës kolektive. Ata e cilësojnë situatën si të rëndë dhe thonë se do të qëndrojnë në protestë për sa kohë kërkesat nuk merren seriozisht nga kompania. /K.M
