Last Updated on 22/06/2026 by Anisa
Deputeti socialist Ardit Bido ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka trajtuar me tone kritike mënyrën se si disa figura politike ndryshojnë qëndrime në varësi të rrethanave dhe presionit publik.
Në mesazhin e tij, Bido ndan dy kategori njerëzish në politikë, duke vënë theksin te dallimi mes atyre që, sipas tij, ndjekin rrymën dhe atyre që qëndrojnë besnikë ndaj bindjeve personale.
Në një reagim të shpërndarë në rrjetet sociale, Ardit Bido ka deklaruar:
“Ka dy lloj njerëzish në politikë.
Ata që ecin me rrymën, fshihen pas saj, presin të shohin nga fryn era dhe e ndërrojnë qëndrimin sa herë që u duhet një duartrokitje më shumë, një sulm më pak apo një viralitet i momentit.
Dhe janë ata që ecin me bindjet e tyre. Edhe kur janë të vetmuar. Edhe kur nuk janë në modë. Edhe kur e dinë se për një kohë do të paguajnë çmimin e të qenit kundër rrymës.
Që i ri, kam bërë vetëm një marrëveshje: me ndërgjegjen time dhe me Zotin. Të mos i tradhtoj kurrë bindjet për interes, frikë apo komoditet.
Prandaj nuk kam respekt për politikejtë që matin të vërtetën me sentimente që nuk i kanë, që ndryshojnë parimet sipas humorit të turmës dhe që shpresojnë se një fitore e çastit do t’i bëjë njerëzit të harrojnë sa herë kanë ndërruar anë.
Viraliteti zgjat një ditë. Karakteri mbetet një jetë.
Unë mund të gaboj. Mund të humbas. Mund të mbetem kundër rrymës. Por nuk do të jem kurrë nga ata që shesin bindjet për një duartrokitje dhe pastaj kërkojnë që historia t’u lajë duart.
Kjo është marrëveshja e vetme që njoh. Nuk është as marrëveshje e re, as marrëveshje e vjetër. Është ajo që kam bërë me veten time dhe s’ka kush të më bëjë ta ndryshoj!”, shkruan Bido
Deklarata e tij vjen në një kohë kur në grupin parlamentar të Partisë Socialiste po vihen re qëndrime të ndryshme mes deputetëve, dhe përplasje të brendshme siç është bërë tashmë e dukshme përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiroplit, apo largimi nga grupi i PS-së i Marjana Koçekut, duke u pozicionuar si deputete e pavarur./ad
