Ideja tingëllon si një skenar i dalë nga filmi Jurassic Park: viruse që qarkullonin te Neandertalët 50 mijë vjet më parë mund të rikthehen teorikisht në laborator. Por përtej fantashkencës, zbulimet e fundit po hapin një dritare të jashtëzakonshme mbi botën e sëmundjeve prehistorike dhe lidhjen e tyre me njeriun modern.
Shkencëtarët kanë izoluar gjurmë gjenetike të tre viruseve në mbetjet kockore të dy Neandertalëve të gjetur në shpellën Çagyrskaja në Rusi. Bëhet fjalë për një adenovirus, që sot shkakton simptoma të ngjashme me të ftohurën; një herpesvirus, përgjegjës për plagët e ftohta; dhe një papillomavirus, i lidhur me lythat dhe disa forma tumoresh gjenitale.
Këto janë viruset më të vjetër njerëzorë të identifikuar ndonjëherë. Deri tani, rekordi mbahej nga një patogjen 31 mijëvjeçar i zbuluar në dhëmbët e një Homo sapiens në Siberi. Zbulimi i ri sugjeron se shumë nga sëmundjet që shoqërojnë njerëzimin sot, qarkullonin që në kohën kur planeti ndahej mes sapienëve dhe “kushërinjve” të tyre neandertalë.
Studimi është udhëhequr nga biologu brazilian Marcelo Briones, profesor i gjenomikës dhe bioinformatikës në Universitetin Federal të São Paulos. Duke krahasuar sekuencat e gjetura me viruset moderne, ekipi arriti në përfundimin se nuk bëhej fjalë për ndotje laboratorike. Viruset kishin qenë realisht pjesë e organizmit të Neandertalëve.
Kjo ka ngritur një pyetje intriguese: a mund të kenë luajtur sëmundjet një rol në zhdukjen e Neandertalëve?
Disa studiues besojnë se epidemitë mund të kenë qenë një faktor shtesë në rënien e kësaj specieje. Në fund të fundit, Neandertalët jetonin në grupe të vogla dhe relativisht të izoluara; përhapja e një infeksioni të ri mund të kishte pasoja dramatike. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se ende dimë shumë pak për biologjinë e këtyre viruseve të lashta dhe efektin real që ato kishin.
Po aq intriguese është ideja nëse këta patogjenë mund të “ringjallen” në laborator, si në një skenar të Jurassic Park. Teorikisht, nëse gjenomi rindërtohet, viruset mund të sintetizohen artificialisht. Por shumë ekspertë mbeten skeptikë. ADN-ja virale është jashtëzakonisht e brishtë dhe e fragmentuar, ndaj rindërtimi i plotë i saj mbetet shumë i vështirë.
Megjithatë, zbulimi ka edhe një anë tjetër, ndoshta më të rëndësishme: Neandertalët nuk na lanë vetëm gjurmë fosilesh, por edhe armë biologjike për mbijetesë.
Sot dihet se shumë njerëz në Evropë dhe Azi mbajnë rreth 2% të ADN-së së Neandertalëve. Ky trashëgim gjenetik erdhi si rezultat i ndërthurjes mes Homo sapiens dhe Neandertalëve dhjetëra mijëra vjet më parë. Dhe një pjesë e këtyre gjeneve duket se lidhet drejtpërdrejt me sistemin imunitar.
Biologët evolucionarë David Enard dhe Dmitri Petrov nga Universiteti Stanford analizuan mijëra gjene njerëzore që ndërveprojnë me viruset. Ata zbuluan se disa fragmente të trashëguara nga Neandertalët ndihmojnë organizmin tonë të luftojë viruse moderne si HIV, hepatiti C dhe influenca A.
Sipas tyre, kur Homo sapiens u largua nga Afrika dhe hyri në Evropë e Azi, ai u përball me patogjenë krejtësisht të rinj. Neandertalët, që kishin jetuar aty për qindra mijëra vjet, kishin zhvilluar tashmë mbrojtje gjenetike ndaj këtyre sëmundjeve. Përmes përzierjes mes dy specieve, sapienët përfituan një “paketë mbijetese” biologjike që i ndihmoi të përshtateshin më shpejt.
Në këtë mënyrë, Neandertalët mund të kenë transmetuar jo vetëm viruset e tyre, por edhe mjetet për t’i luftuar ato.
Kërkimet mbi ADN-në e lashtë po krijojnë sot një disiplinë të re shkencore, ku studiuesit përpiqen të rindërtojnë historinë e epidemive prehistorike. Ashtu si paleontologët që zbulojnë botën e dinosaurëve përmes kockave, genetistët po përpiqen të rindërtojnë botën e viruseve të zhdukura përmes fragmenteve mikroskopike të ADN-së.
Dhe ndoshta, në trupin e njeriut modern, ende jeton jo vetëm kujtimi i Neandertalëve — por edhe mbrojtja që ata na lanë trashëgim.
Përgatiti: L.Veizi
