Last Updated on 21/04/2026 by Fernada
Vizita zyrtare e deputetit Arbjan Mazniku në Romë ka vijuar me një axhendë intensive takimesh në nivelet më të larta të Parlamentit italian, duke vënë në fokus marrëdhëniet strategjike Shqipëri–Itali, integrimin europian dhe bashkëpunimin ekonomik.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, Mazniku ka zhvilluar një sërë takimesh në Senatin Italian dhe në Dhomën e Deputetëve, ku theksoi rolin kyç që marrëdhëniet mes dy vendeve luajnë në planin kulturor, ekonomik dhe gjeopolitik.
Mesazhi nga pala italiane ishte i qartë, mbështetje e pakushtëzuar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe vlerësim për reformat e ndërmarra nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama.
Takimet përfshinë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Miqësisë Itali–Shqipëri, si dhe figura të rëndësishme të politikës italiane, mes tyre Sen. Barbara Floridia, Senatori Maurizio Gasparri, Sen. Giuliomaria Terzi di Sant’Agata dhe Sen. Stefania Pucciarelli, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rritja e kontakteve institucionale.
Një tjetër moment i rëndësishëm për deputetin Arbjan Mazniku ishte takimi me Senatorin Francesco Silvestro, ku u diskutua reforma territoriale në Shqipëri dhe mundësitë për të përfituar nga modeli italian i rajoneve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të rajoneve në zhvillimin ekonomik dhe aksesin në fondet e Bashkimit Europian.
Përfaqësues nga e djathta, qendra dhe e majta shprehën gatishmërinë për të vizituar vendin tonë dhe për të mbështetur hapur procesin e integrimit.
Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Shqipërisë, me lidhje të forta historike, ekonomike dhe njerëzore, si dhe një zë i fuqishëm në mbështetje të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.
Vizita vjen në një moment kyç, ndërsa Shqipëria ndodhet në fazën më konkrete të negociatave për anëtarësim. Mbështetja italiane shihet si një faktor me peshë në këtë proces.
Vizita e delegacionit shqiptar ku janë pjesë dhe deputetët Iris Luarasi, Ardit Bido, Jorida Tabaku, Gazmend Bardhi vijon nesër me vizita të tjera institucionale në Parlamentin Italian.
