Last Updated on 10/03/2026 by Anisa
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konsideruar si “absurde dhe të rrezikshme” aludimet për një konspiracion mes saj dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të rrëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë një interviste ekskluzive në Çim Peka Live në SYRI TV, Osmani tha se këto teori konspirative kanë çuar deri te thirrje publike për pushkatimin e saj. Ajo hodhi poshtë çdo pretendim se kishte një marrëveshje me kryeministrin Rama për të siguruar votat e PDK-së për zgjedhjen e saj si presidente.
“E gjithë puna ime gjatë mandatit ka qenë e përkushtuar mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe demaskimit të Serbisë si agresore,” tha Osmani, duke shtuar se krahasimi i saj me Aleksandar Vuçiç, presidentin e Serbisë, është i rrezikshëm, pasi ka çuar në kërcënime serioze ndaj saj. Ajo deklaroi gjithashtu se institucionet e rendit janë njoftuar për këto kërcënime.
‘Këto konspiracione, aq sa janë absurde, janë po ashtu të rrezikshme. Janë absurde sepse të thuhet për një presidente që e tëra që ka bërë, përgjatë këtyre viteve në presidencë, është mbrojtja e Republikës së Kosovës, shpërfaqja e qëndrimit të Serbisë si agresor, shpërfaqja e krimeve të Serbisë, dhe shpërfaqja e fytyrës së vërtetë të Serbisë në mënyrë që bota ta kuptojë se kush janë ata dhe të arrijë të përkrahjen në raport me ne. Dhe tani të barazohem me Vuçiçin, kjo po e them është e rrezikshme sepse ka rezultuar edhe me thirrje publike për pushkatim. Sot gjë që siç e dini gjuha e atillë linçuese në vitet e pasluftës në Kosovë ka rezultuar me më të keqen. Natyrisht që këto konspiracione, këto shpifje, këto sulme në asnjë moment nuk do më zbrapsin.‘
Osmani sfidoi të gjithë akuzuesit, duke përfshirë kryeministrin dhe deputetët, që të paraqesin prova për përfshirjen e saj në ndonjë “komplot apo skenar” me kryeministrin Rama. “Ku i keni faktet? Ku i keni dëshmitë?” pyeti ajo.
‘Por për fat të keq kanë gjetur gjuhën e linçimit pa asnjë argument të vetëm. Unë i bëj thirrje që të gjithëve, nga kryeministri deri tek deputeti i fundit, le t’i paraqesin faktet. Ku i keni faktet? Ku i keni dëshmitë që presidentja e Republikës së Kosovës është involvuar në ndonjë lloj komploti, në ndonjë lloj skenari e aq më pak me kryeministrin Rama. Raporti im institucional me kryeministrin është i tillë. Dihen dallimet që i kemi pasur me të. Akoma qëndroj në çdo milimetër, në qëndrimet që i kam thënë edhe për Open Balkans, edhe për çështje të tjera. Por ne si Republikë e Kosovës kemi qenë këto vite në një situatë sfidash të mëdha. Na janë dashur aleatë të Kosovës. Llogariteni kur unë vizitoja vende të ndryshme në botë dhe filloja të flisja për Serbinë. Dhe sa po heqim nga Serbia, gjë që është e vërtetë. Po. Dhe përgjigja që e merrja ishte kjo: po mirë mirë me Serbinë, po me Shqipërinë çka patët? Si është e mundur që me Shqipërinë nuk ja kaloni mirë? Dhe momente të tilla duhet ta bëjnë secilin lider të reflektojë. Dhe ne e kemi bërë pikërisht këtë.’
Presidentja theksoi se përparësia e saj ka qenë gjithmonë interesin e shtetit mbi gjithçka tjetër dhe shtoi se energjia negative dhe sulmet ndaj saj do të ishte më e dobishme në drejtim të përballjes me Serbinë, jo ndaj presidencës së Kosovës.
E ardhmja politike e Osmanit
Osmani deklaroi se do të vendosë për të ardhmen e saj politike pas datës 4 prill, kur i përfundon mandati si presidente. “Derisa të përfundojë mandati, do ta kryej detyrën me nder. Pas kësaj date, do të bëj një vlerësim të ri për situatën politike dhe do ta marr vendimin për rrugën përpara,” tha ajo.
Në intervistë, Osmani gjithashtu komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të saj për shpërndarjen e Parlamentit, duke thënë se masa e përkohshme i jep pak kohë për të sqaruar çështjet para vendimit përfundimtar.
“Do ta shoh se cili është interesi më i madh i Republikës së Kosovës në këto momente,” tha presidentja. Ajo nënvizoi se politika shpesh është e paparashikueshme dhe se prioritet mbetet gjithmonë interesi i vendit.
Në fund të intervistës, Osmani vlerësoi se çdo vendim për të ardhmen e saj do të bazohet në mënyrën më të mirë për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara./A.D
