Last Updated on 04/03/2026 by Anisa
Deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përdor propagandën qeveritare për të mbuluar realitetin e vendit, që sipas saj është përkeqësuar ndjeshëm në aspektin e demokracisë dhe të shtetit ligjor.
E ftuar në Syri TV, Vokshi deklaroi se “makineria e stërmadhe e propagandës” e Ramës financohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke bërë që një pjesë e ndërkombëtarëve të mos e njohin situatën reale në Shqipëri.
“Unë mendoj që edhe propaganda mund të funksionojë deri diku, por nuk mund të mbulojë pafundësisht situatën reale në Shqipëri. Pra makineria e stërmadhe e propagandës së Edi Ramës, që furnizohet në mënyrë të vazhdueshme nga para, të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ka bërë që një pjesë e miqve, një pjesë e evropianëve, një pjesë e ndërkombëtarëve, mos të njohin situatën reale në Shqipëri,” tha Vokshi.
Vokshi theksoi se falë punës intensive të Partisë Demokratike, ajo dhe kolegët e saj kanë bërë të mundur që vitin e fundit të informojnë formacione politike si ato motra, partitë e qendrës së djathtë dhe strukturat e EPP, CDI dhe IDU për situatën reale në Shqipëri.Vokshi nënvizoi se kjo njohje i lejon ndërkombëtarët të kuptojnë realisht se Rama është një autokrat që shkel të drejtat e qytetarëve, dhe jo si figura që prezantohet në publik.
“Kemi informuar dhe riinformuar kancelaritë e ndryshme dhe parlamentet e vendeve të ndryshme. Kjo ka bërë që tashmë një pjesë e mirë ta njohin Edi Ramën si autokrat, jo si kryeministër që vesh atlete të bardha, si atë që pretendon se është sportist apo artist,” tha ajo.
Vokshi deklaroi se misioni i EPP, i përbërë nga 30 anëtarë nga 20 shtete, vizitoi Shqipërinë dhe situata është cilësuar si “shokuese” nga shumica e pjesëmarrësve.
Problemet kryesore të evidentuara përfshijnë:
- Krimin e organizuar dhe përfshirjen e tij në zgjedhje
- Narko-ekonominë
- Korrupsionin
- Mosfunksionimin e shtetit ligjor
- Hapat pas në demokraci
- Kapjen e mediave dhe kontrollin mbi shoqërinë civile
“Pothuajse 90% e anëtarëve të misionit kanë përmendur fjalën shokuese kur flitej për Shqipërinë,” tha Vokshi.
Pas vizitës në Shqipëri, misioni i EPP-së shkoi në Mali i Zi, ku partia në pushtet kishte bërë një aplikim për t’u bërë anëtare e EPP-së. Sipas Vokshit, Mali i Zi ka bërë hapa përparues në mbylljen e kapitujve dhe pritet që në fund të vitit të mbyllin pjesën më të madhe të kapitujve dhe deri në vitin 2028 të pranohen me të drejta të plota në Bashkimi Europian.
Vokshi nënvizoi se rivendosja e shtetit ligjor dhe rikthimi i demokracisë janë kritere të domosdoshme për përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Pa këto kushte, Shqipëria nuk mund të bëjë hapa përpara në mbylljen e kapitujve të integrimit,” tha deputetja demokrate./A.D
