Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Në një seancë maratonë që përfundoi në orën 04:15 të mëngjesit të së premtes, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dy projektligje dhe pesë projektvendime, si dhe zgjodhi katër anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Banka e Shqipërisë. Gjashtë nisma të propozuara nga opozita u rrëzuan.
Me 75 vota pro, 15 kundër dhe 1 abstenim, mazhoranca miratoi ligjin për shërbimin e jashtëm, i cili parashikon testimin e diplomatëve në detyrë brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shumicës, ndryshimet synojnë rritjen e profesionalizmit dhe standardeve në përfaqësitë diplomatike shqiptare.
Gjithashtu, me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, u miratuan ndryshimet në ligjin për Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas ndryshimeve:
-AKSHI nuk do të zhvillojë më tendera.
-Prokurimet publike do të realizohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.
-Agjencia mund të krijojë shoqëri aksionere, ku shteti do të zotërojë gjithmonë jo më pak se 51% të aksioneve.
Mazhoranca argumentoi se nisma rrit eficiencën dhe kontrollin mbi investimet në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.
Parlamenti zgjodhi katër anëtarë të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë:
-Selami Xhepa – 74 vota pro, 16 kundër, 0 abstenim
-Holta Zaçaj – 72 vota pro, 19 kundër, 1 abstenim
-Ervin Mete – 74 vota pro, 17 kundër, 0 abstenim
-Jonida Prifti – 73 vota pro, 18 kundër, 0 abstenim
Xhepa dhe Zaçaj ishin propozuar nga Kuvendi, ndërsa Mete dhe Prifti nga qeveria. Kandidatura e Matilda Shehut, e propozuar nga Kuvendi, do të votohet në një seancë tjetër plenare, pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së.
Me 74 vota pro, 15 kundër dhe asnjë abstenim, u miratua edhe projektvendimi “Për miratimin e planit vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022–2026”.
Siç pritej, gjashtë projektligje të propozuara nga deputetë të opozitës nuk morën mbështetjen e shumicës. Dy prej tyre ishin nisma të Ina Zhupa, për ndryshime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe në ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Dy të tjera, të propozuara nga Jorida Tabaku, kishin të bënin me akcizat dhe statusin e minatorit.
Po ashtu, nuk u miratuan:
-Nisma e deputetëve të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Tedi Blushi dhe Edmond Haxhinasto, për ndryshime në ligjin për TVSH-në.
-Propozimi i Tedi Blushit për detyrimin e analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë.
-Në tre prej projektligjeve të opozitës, deputeti socialist Erion Braçe abstenoi.
Seanca nisi me një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, lidhur me projektin “Durana Tech Park”, parku i parë teknologjik dhe shkencor në vend, që synon tërheqjen e investimeve përmes lehtësirave tatimore.
Debate pati edhe për nismën e PS-së për ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe për mungesën në seancë të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi përfshirjen në rend dite të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të saj, ndërsa Taulant Balla njoftoi se Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 23 shkurt.
Në fund të seancës, nuk munguan as përplasjet politike, ku Balla ironizoi opozitën lidhur me një takim të munguar të David McAllister me Sali Berisha, ndërsa përmendi edhe takimin e kryeministrit Edi Rama me Donald Trump në Bordin e Paqes./A.D
