Last Updated on 18/09/2026 by EL
Maratonat dhe garat e fitnesit po krijojnë një trend të ri në turizëm, të quajtur “race-cation”, ku udhëtarët kombinojnë pjesëmarrjen në një garë sportive me një arratisje të shkurtër në qytetin ku zhvillohet eventi.
Kërkimet në Google për termin “marathon abroad”, ose “maratonë jashtë vendit”, janë rritur me rreth 1,255% gjatë vitit të fundit, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Paralelisht, po rritet edhe interesi për itinerare 24-orëshe në qytetet europiane ku zhvillohen maratona dhe evente të mëdha sportive.
Sipas të dhënave të kompanisë Bókun, në pronësi të Tripadvisor, kërkimet për maratona jashtë vendit kanë arritur një rekord në vitin 2026. Kjo prirje përkon edhe me kalendarin sportiv, pasi rreth një e katërta e të gjitha maratonave në botë zhvillohen gjatë muajit tetor.
Çfarë është “race-cation”?
“Race-cation” është një kombinim i fjalëve “race” dhe “vacation” dhe përshkruan udhëtimet ku qëllimi kryesor është pjesëmarrja në një maratonë apo garë fitnesi, por udhëtari shfrytëzon qëndrimin edhe për të vizituar destinacionin.
Kjo do të thotë se një udhëtim për një maratonë në Amsterdam, Berlin apo Budapest nuk kufizohet vetëm te gara. Vrapuesit po kërkojnë gjithnjë e më shumë se çfarë mund të shohin, ku mund të hanë dhe çfarë aktivitetesh mund të bëjnë gjatë disa orëve që kanë në dispozicion.
Të dhënat e Bókun tregojnë se kërkimet për itinerare 24-orëshe në qytetet pritëse janë rritur ndjeshëm.
Hamburgu kryeson me një rritje prej 500% të kërkimeve për “çfarë të bësh në Hamburg” gjatë muajit të fundit. Në Lisbonë, kërkimet për “çfarë të bësh në Lisbonë për një ditë” janë rritur me 400%, ndërsa në Mynih rritja ka qenë 250%.
Në Berlin, kërkimet për aktivitetet që mund të bëhen brenda një dite janë rritur me 119%. Për Budapestin, kërkimet për “24 orë në Budapest” janë rritur me 84%, ndërsa për Amsterdamin, kërkimet për një udhëtim njëditor janë rritur me 70%.
Europa në vjeshtë kthehet në destinacionin e vrapuesve
Rreth 42% e maratonave zhvillohen në vjeshtë, ndërsa vetëm tetori përbën rreth 23% të të gjitha eventeve.
Në kalendarin europian të kësaj vjeshte përfshihen maratona dhe gara HYROX në disa prej qyteteve më të vizituara të kontinentit. Mes tyre janë HYROX Rome, Maratona e Berlinit, Maratona e Amsterdamit, ajo e Mynihut, Lisbonës dhe Budapestit, si edhe HYROX Valencia. HYROX Hamburg zhvillohet nga 28 tetori deri më 1 nëntor.
Rritja e “race-cations” lidhet edhe me një tjetër tendencë të turizmit modern, të ashtuquajturat “micro-adventures”, ose udhëtime shumë të shkurtra që synojnë të shfrytëzojnë maksimalisht një destinacion brenda një kohe të kufizuar.
Interesi për turet ditore dhe aktivitetet turistike është rritur gjithashtu. Kërkimet për “Budapest day tours” janë rritur me më shumë se 400% gjatë vitit të fundit, ndërsa ato për ture ditore në Amsterdam janë rritur me mbi 100% dhe për turet ditore në Lisbonë me më shumë se 70%.
Për këta udhëtarë nuk mjafton vetëm vizita e monumenteve. Eksperiencat lokale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi. Kërkimet për kurse gatimi në Lisbonë janë rritur me 488%, ndërsa ato për ture ushqimore në Romë me 94%.
Kështu, për shumë vrapues, gara po shndërrohet vetëm në një pjesë të udhëtimit, ndërsa pjesa tjetër përdoret për të zbuluar qytetin, kuzhinën dhe kulturën lokale, edhe nëse qëndrimi zgjat vetëm 24 orë./et
