Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale pritet të marrë në pyetje sot pesë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Sipas mediave lokale në Kosovë, mbledhja e Komisionit Hetimor pritet të nisë në orën 08:30, ndërsa intervistimi i dëshmitarëve pritet të fillojë nga ora 09:30.
Për s ai përket Komisionit Hetimor, do kryesohet nga Burim Ramadani i AAK-së, ndërsa zëvendëskryesues është Adnan Rrustemi i LVV-së.
Dëshmitarët që do merren në pyetje janë, Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS, Shpat Morina, zyrtar i QPS-së; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë, si dhe Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.
Mësohet se, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka konstatuar shkelje të shumta nga inspektimi i jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës.
Sipas Ministrisë, raporti ka evidentuar gjithashtu mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale./k.m
