Last Updated on 08/09/2026 by Anisa
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se çështja e pagave të magjistratëve do të shqyrtohet në Kuvend më 17 shtator, por për miratimin e ndryshimeve do të duhen edhe votat e Partisë Demokratike.
“Sot, në Konferencën e Kryetarëve, kemi diskutuar lidhur me këtë çështje. Madje, ka pasur një përpjekje për ta përdorur politikisht nga ana e opozitës edhe këtë rast, por diferenca është shumë e qartë: në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm dy deputetë të Partisë Socialiste, në konsultim me kryetarin e grupit dhe me kryesinë e grupit, kanë depozituar një projektligj që, në vlerësimin tim, e adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu e kemi lexuar ne vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu po ushtrojmë këtë përgjegjësi që na takon dhe kemi parashikuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator”, tha Balla
“Në demokraci, secili ka këndvështrimin e vet. Jurisprudenca nuk është një shkencë ekzakte, nuk është as matematikë, as fizikë. Në vlerësimin tonë, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese është depozituar projektligji. Siç ju thashë, projektligji do të shqyrtohet me prioritet. Kujtoj këtu, në mos gaboj, nenet 81 dhe 83 të Kushtetutës përcaktojnë që jemi në kushtet e një ligji, një projektligji që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar dhe që kërkon 3/5-at, shumicë të cilësuar të Kuvendit.
Kështu që ata që u djeg barku, që kur u teket shkojnë dhe shajnë me libër shtëpie prokurorët dhe gjyqtarët dhe sot mendojnë që duhet të mbështesin pagat e gjyqtarëve… Besoj unë që projektligji i depozituar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes dy deputetëve të vet, dhe, për të qenë transparent, siç e kam bërë gjithmonë me ju, si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik me ndarje të pushteteve, kompetenca për përcaktimin e pagave në Republikën e Shqipërisë është vetëm e Parlamentit”, shtoi ai./ad
