Last Updated on 18/08/2026 by Anisa
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Ksamilin, ku një turist portugez rreth 20 vjeç humbi jetën pasi u godit me mjet prerës pas një konflikti pranë një lokali në zonën e plazhit.
Viktima është identifikuar si Miguel Mendes, i cili kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet dhe për të festuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti dyshohet se ka nisur brenda një lokali. Më pas, 20-vjeçari është nxjerrë jashtë ambienteve të lokalit, ku është goditur me thikë pranë hyrjes, në zonën e plazhit.
Burimet bëjnë me dije se Mendes ka marrë disa goditje me mjet prerës në shpinë dhe në kraharor, duke humbur jetën në vendngjarje. Trupi i të riut është gjetur më pas në zonën e shezlongëve, përpara lokalit.
Arrestohet autori i dyshuar pas 5 orësh
Për ngjarjen, policia ka arrestuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili dyshohet se punonte si roje plazhi pranë një biznesi në Ksamil.
Pas ngjarjes, Vata dyshohet se është larguar nga Ksamilit dhe ka qëndruar i fshehur për rreth pesë orë. Ai u kap në Fier, ndërsa ndodhej në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një vajzë. Në automjet ndodhej edhe një person tjetër, të dy shtetas turq.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me një vajzë, ndërsa nuk përjashtohen pista të tjera.
E kaluara kriminale në Angli
Sokrat Vata rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Angli, ku është dënuar për vepra që lidhen me posedimin dhe furnizimin me kokainë, armë dhe drejtimin e automjeteve nën efektin e drogës.
Sipas të dhënave të bëra publike për çështjen në Angli, më 30 prill, policia në Kembrixh e pikasi Vatën duke drejtuar një automjet tip Toyota, i cili rezultonte i vjedhur. 29-vjeçari tentoi të largohej, ndërsa më pas vijoi arratinë në këmbë.
Gjatë ndjekjes, ai hodhi një pako me kokainë në shkurre, por u kap nga policia. Gjatë kontrollit iu gjetën edhe 560 paund, ndërsa rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Në një tjetër rast, më 13 prill, në Kent, Vata nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe përplasi një automjet me targa të klonuara. Në automjet u gjetën qese me kokainë dhe targa.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Kurorës së Kembrixhit, ku Vata pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Për këto vepra, ai u dënua me pesë vite burgim.
Ndërkohë, në Shqipëri hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e konfliktit që i mori jetën turistit francez dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë./ad
