Last Updated on 20/09/2026 by Klara
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në qendër të Sarandës, pranë ish-agjencisë së vjetër, ku ka mbetur i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj. Nga të shtënat është plagosur edhe një kalimtar, Xhevdet Skëndaj. Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se janë dy persona që lëviznin me motor dhe mbanin skafandra.
Artan Myrtaj rezulton i përfshirë 1 vit më parë në një plagosje për një tokë.
“Rreth orës 09:55, te ish-agjencia, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. M., rreth 44 vjeç, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Xh. S., rreth 73 vjeç, kalimtar i rastit, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Janë ngritur pika kontrolli në drejtim të Vlorës dhe të Gjirokastrës”, njofton Policia.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për sqarimin e rrethanave, administrimin e çdo prove që i shërben hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve./k.m
