Last Updated on 30/07/2025 by adminfjala
Gjykata dënon me burgim të përjetshëm Azgan Mërnicën, i arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” më 13 maj 2024, për shkak se po ushtronte detyrën për udhëtimin e rrezikshëm me mjet nga i pandehuri në rrugët e fshatit Baltëz.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dhënë sot (30 korrik) vendimin e saj për Azgan Mërnicën, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit të Policisë së Shtetit, pjesëtar i forcave speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për Mërnicën, i cili akuzohej për tre vepra penale:
“Vrasje me armë zjarri të punonjësit të policisë”, “armëmbajtje pa leje”, “drejtim të parregullt të mjetit”.
Ngjarja e rëndë në Baltëz
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si një konflikt banal. Azgan Mërnica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi N.C., i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngarjes.
Sipas Prokurorisë, pas një debati të ashpër verbal, Mërnica ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje efektivin, i cili ndodhej në detyrë. Pas ngjarjes, i akuzuari u kap nga forcat e rendit pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjaret e tij. m.p.