Policia ka zbardhur vrasjen e 20-vjeçarit, P. P., të ndodhur në shkurt të këtij viti në fshatin Guci e Re në Shkodër. Lidhur me ngjarjen janë arrestuar dy persona, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Në pranga janë vënë shtetasit K. L., 20 vjeç dhe V. K., 43 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re.
Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
K. L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull;
V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri,
për veprat penale:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme./KM
