Një ekspeditë arkeologjike detare ka zbuluar në portin e Nassau-t, në ishullin New Providence të Bahamas, mbetje anijesh të lidhura me epokën e piraterisë në Karaibe. Gjetjet, sipas studiuesve, shkojnë përtej legjendave të njohura dhe ofrojnë prova materiale të aktivitetit pirat në një nga qendrat më të famshme të “Epokës së Artë të Piraterisë”.
Një port i kthyer në skenë historie
Midis shekujve XVI dhe XIX, detet e botës u bënë arenë për piratë dhe korsarë që sulmonin anijet tregtare europiane të ngarkuara me mallra dhe thesare. Karaibet, me rrugët e tyre të ngjeshura tregtare dhe ujërat e cekëta, u shndërruan në një strehë ideale për ta.
Sidomos midis viteve 1690 dhe 1720, zona e Nassau-t konsiderohej një bazë strategjike për figura të njohura si Edward Teach (i njohur si Mjekërziu) dhe John Rackham (Calico Jack), të cilët planifikonin sulme dhe ndanin plaçkën pas bastisjeve në det.
Zbulimet nënujorë
Ekspedita ndërkombëtare ka identifikuar gjashtë anije të mbytura në zonë. Midis mbetjeve janë struktura të djegura prej druri, të rënduara me balast guri, si dhe objekte të ndryshme ushtarake dhe detare: topa hekuri, mjete mprehjeje për shpata dhe rreth 25 fishekë plumbi për musketa.
Sipas arkeologëve, djegia e anijeve deri në vijën e ujit ishte një praktikë e përdorur për të fshehur gjurmët e sulmeve dhe për të shmangur ndjekjen nga autoritetet koloniale. Pasi plaçkitnin ngarkesat, piratët shpesh i shkatërronin anijet për të eliminuar provat.
Një nga trupat e djegur të anijeve është interpretuar si një “firmë operacionale” e sulmeve piratere, e ngjashme me mënyrën e veprimit të Mjekërziut.
Gjurma e Mjekërziut
Edward Teach (1680–1718), i njohur si Mjekërziu, është një nga figurat më të famshme të piraterisë botërore. Ai filloi karrierën e tij detare gjatë Luftës së Mbretëreshës Anne (1702–1713), përpara se t’i bashkohej botës së piraterisë në ishullin New Providence.
Në vitin 1716 ai u lidh me kapitenin Benjamin Hornigold, duke nisur një seri sulmesh detare që përfshinë kapjen e rreth njëzet anijeve brenda pak më shumë se një viti.
Gjetja më e njohur e lidhur me të ishte anija “Concorde”, një anije angleze që transportonte skllevër drejt Guajanës. Pas marrjes së saj, Teach e riemërtoi “Queen Anne’s Revenge”, e armatosi me 40 topa dhe e përdori për sulme përgjatë brigjeve të Amerikës së Veriut dhe Karaibeve.
Një tjetër anije tregtare dhe gjurmë të jetës së përditshme
Në të njëjtën zonë, arkeologët zbuluan edhe një anije tregtare angleze të mbytur rreth vitit 1740. Brenda saj u gjetën shishe qelqi vere, pajisje detare dhe 143 pipë duhani prej balte, të dekoruara me simbole mbretërore angleze.
Këto objekte sugjerojnë jo vetëm aktivitet tregtar, por edhe jetën e përditshme në anijet e epokës koloniale, duke plotësuar më tej mozaikun historik të Karaibeve.
Një “Ishull Thesari” i vërtetë
Zbulimet e fundit në Bahamas tregojnë se legjendat e piratëve nuk janë vetëm mitologji popullore apo frymëzim filmash, por kanë rrënjë të forta historike. Mbetjet nënujore dëshmojnë për një periudhë kur deti ishte njëkohësisht rrugë tregtare, fushë beteje dhe territor i paligjshmërisë së organizuar.
Në këtë kuptim, Nassau dhe ujërat përreth tij mbeten një arkiv i gjallë i një epoke ku historia dhe miti ndahen vetëm nga disa metra rërë nën det.
