Nicola Pietrangeli, një nga figurat më të mëdha të tenisit italian dhe mjeshtër i padiskutueshëm i fushave me baltë, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Federata Italiane e Tenisit të hënën, pa specifikuar shkakun e vdekjes. Ai kishte qenë në gjendje të rënduar shëndetësore pas një frakture të ijes në dhjetor 2024.
Pietrangeli mbetet një prej ikonave të epokës para-profesionale të tenisit. Episodi i famshëm i finales së French Open 1960, ku ai luajti setet vendimtare me këmbë të gjakosura pas një ndeshjeje rraskapitëse kundër kilianit Luis Ayala, është pjesë e legjendës së sportit. Pavarësisht dhimbjes, ai u shfaq i lehtë dhe elegant në fushë, duke siguruar titullin e tij të dytë në Roland Garros. Shpërblimi i tij atëherë: vetëm 150 dollarë.
I konsideruar si “babai i tenisit italian”, Pietrangeli ishte më shumë se një kampion. Ai u bë fenomen kulturor, duke e nxjerrë tenisin nga rrethet elitare drejt publikut të gjerë. Me sharmin, stilin jetësor prej ylli kinemaje dhe lojën elegante, ai u bë simbol i viteve ’50–’60. Miqtë e tij përfshinin emra si Marcello Mastroianni, Brigitte Bardot dhe Claudia Cardinale.
Ai fitoi dy tituj Grand Slam në Roland Garros (1959, 1960), një titull në dyshe (1959) dhe një në dyshe të përziera (1958). Në karrierë grumbulloi 48 tituj, përfshirë dy Masters të Romës. Por lavdia e tij më e madhe mbetet Davis Cup: 164 ndeshje të luajtura dhe 120 fitore, një rekord që ende nuk është thyer. Si kapiten, në vitin 1976, ai udhëhoqi Italinë drejt triumfit historik, në një finale të mbuluar nga tensione politike kundër diktaturës së Pinochetit në Kili.
Pietrangeli lindi në Tunis më 11 shtator 1933, në një familje italiane me rrënjë ruse nga ana e nënës. Lufta e Dytë Botërore e shënjoi fëmijërinë e tij, ndërsa ai nisi të luante tenis në një fushë brenda kampit ku i ati ishte internuar. Pasi u zhvendos në Romë, fillimisht u dallua në futboll dhe ishte pjesë e të rinjve të Lazios, para se të zgjidhte tenisin.
Jeta e tij personale ishte po aq e ngarkuar sa karriera sportive. Ai u martua me modelen Susanna Artero, me të cilën pati tre djem. Më vonë pati lidhje shumëvjeçare me prezantuesen e njohur Licia Colò. Me autoironi, ai thoshte: “I kam dashur të gjitha. Dhe të katërat më lanë. Mbase e meritoja.”
Pietrangeli njihej për shpirtin bohem dhe refuzimin e disiplinës së hekurt. “Po të stërvitesha më shumë, do të fitoja më shumë. Por do të argëtohesha më pak,” thoshte shpesh. Edhe në moshë të thyer ai mbeti një zë i fortë në sport, duke komentuar mbi kampionët e rinj, përfshirë Jannik Sinner-in, të cilin e konsideronte të aftë të thyente çdo rekord të tij, përveç njërit: 164 ndeshjeve në Davis Cup.
Në autobiografinë e tij, ai madje përshkroi edhe funeralin e dëshiruar: në stadiumin që mban emrin e tij në Foro Italico. “Ka 3,000 vende dhe një korridor të mbuluar në rast shiu,” shkroi ai me humor.
Nicola Pietrangeli mbetet një figurë e dashur, e gjallë në kujtesën sportive të Italisë, një kampion që luajti jo për para, por për dashurinë ndaj lojës. “Nuk kam luajtur kurrë për paratë,” thoshte. “Lojë e bëja sepse e doja. Edhe sepse dukesha tmerrësisht bukur duke e bërë.”/mxh
